Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka theksuar se fokusi i BE-së është kthyer sërish në Ballkanin Perëndimor.
Këto komente, Szunyog, i bëri në ceremoninë e fillimit të javës së aktiviteteve për shënimin e ditës së Evropës në Kosovë e cila shënohet më 9 Maj.
Ai theksoi se BE-ja nuk është vetëm bashkim politik dhe ekonomik, por ajo promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin.
“Fokusi ynë është kthyer përsëri edhe në Ballkanin Perëndimor. Në këto vite sfiduese përmbyllëm me sukses tri paketa të ndihmës për Kosovën, të cilat kapin shifrën e përgjithshme prej 200 milionë eurosh. Jam shumë krenar edhe për liberalizimin e vizave, që është një arritje e Kosovës, por posaçërisht e qytetarëve. Mendoj se mund të jemi krenarë edhe për procesin e dialogut dhe zhvillimet e fundit. Mendoj se edhe në këto kohë të vështira, BE ka qenë e fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë”.
Ai shtoi se 9 Maji sivjet festohet në një situatë jo edhe aq të mirë, e cila po shkaktohet nga lufta Rusi-Ukrainë. Sipas tij, BE-ja ka qenë e shpejtë në reagimin e saj, edhe pse pati probleme ekonomike, si rritjen e çmimeve. /Albanianpost.com