Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye ligjore apo praktike, që ndal njësitë e Policisë së Kosovës që të kryejnë të gjitha obligimet e tyre, e që janë edhe mbrojtja e institucioneve dhe ligjshmërisë në Kosovë.
Ministri Sveçla në një konferencën të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, tha se me vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targa, janë njoftuar edhe partnerët ndërkombëtarë, meqë më 15 shtator ka skaduar afati i marrëveshjes për targat.
“Aktet e sotme në Zubin Potok dhe Zveçan kanë treguar arsyeshmërinë e planeve të duhura operacionale të Policisë së Kosovës që në mbështetje të personalit të Policisë Kufitare dhe në mbrojtje të pikave kufitare atje, do të vihen në dispozicion edhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës. Nuk ka asnjë arsye çoftë ligjore, çoftë praktike, që ndal apo duhet të parandalojë njësitë e Policisë së Kosovës që lirshëm të kryejmë të gjitha obligimet e tyre ligjore, e një ndër to është edhe mbrojtja e institucioneve të Kosovës dhe padyshim mbrojtja e ligjshmërisë në Kosovë, ka thënë ai.
Ai gjithashtu theksoi policia po heton aktin siç e quajti kriminal që ndodhi në Zubin Potok dhe Zveçan.
/KP/