Sveçla: Asnjëherë nuk jam sulmuar në Ujman

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka mohuar se është gjuajtur me armë nga grupet kriminale gjatë vizitës së tij në liqenin e Ujmanit. Reagimi i tij pason një deklaratë nga ish-kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadani, i cili tha se Sveçla në fillim të korrikut është gjuajtur me kallash në Ujman.

“Dje në një paraqitje televizive, ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani paska deklaruar diçka që aspak nuk është e vërtetë. Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me AK 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me kryeshefin e ‘Ibër Lepencit’ dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë, por ka qenë edhe shumë produktive”, ka shkruar Sveçla.

Ministri thotë se nuk do të reagoj ndaj Ramadanit.

“Nuk do të reagoj ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore”, tha ai.

Sveçla thotë se sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk e frikësojnë as nuk e zmbrapsin.

“Unë veq lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje. Edhe po, shkoj shpesh edhe te Kukësi, Tropoja, Hasi e Dragashi, se e kam një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje!”, ka shkruar ministri i Brendshëm në rrjetin social Facebook.

Kujtojmë se parmbrëmë, ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani në një debat televiziv tha se në fillim të korrikut, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është gjuajtur me armë gjatë qëndrimit të tij në Ujman.

“…është e konfirmuar, le të del ministri i Brendshëm dhe ta demanton. Në fillim të korrikut e kanë gjuajtur në Ujman, e kanë gjuajt me kallash edhe ka ikë. Bile po bëjnë hajgare po thonë në Kukës ka shku. Ka qenë me barkën e vogël me polici dhe prej anës tjetër e kanë gjujtë me kallash edhe janë largu kanë ikë”, tha Ramadani. /RTK/

Read Previous

Mbahet mbledhja e Asamblesë komunale të Gjakovës

Read Next

Liqeni i Ujmanit, Elshani: Zona konsiderohet të jetë e sigurt, ka patrullim të rregullt të Policisë