Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha sot politikani serb Aleksandar Arsenijeviq duhet të dorëzohet dhe të përgjigjet para ligjit.
Sveçla në një deklaratë për media tha se ky është tash pjesë e hetimeve gjithëpërfshirëse.
“Ky është tash pjesë e hetimeve gjithëpërfshirëse. Është e qartë se ky është pjesë e grupeve të ndryshme të cilat janë marrë herë me krim e herë me terrorizëm. Ky ka tentuar me krijojë një imazh të kinse një opozitari. Realisht faktet, dëshmitë tregojnë që është i përfshirë në aktivitete kriminale terroriste dhe duhet sa më parë të përgjigjet para ligjit, duke u dorëzuar…”, u shpreh ministri.
Sveçla tutje tha se ai është i dyshuar dhe se në pronën e tij janë gjetur armë që i takojnë një Njësiti terrorist dhe për këtë ai duhet të përgjigjet para ligjit.
Ndërkaq, ditë më parë politikani serb Aleksandar Arsenijeviq tha për KALLXO.com se nuk është në dijeni që është në kërkim nga forcat e rendit.
“Mundem vetëm të hamendësoj, por tash po dëgjoj prej juve. Unë tash jam me familje, në një udhëtim te familjarët e mi. Por, kur të kthehem me shumë dëshirë isha lajmëruar nëse procesi kishte me qenë i drejtë, ashtu qysh duhet me qenë. Nuk kam çka të fsheh. Mund të kërkoj edhe ekspertizë të FBI-së, hetim me të gjithë faktorët relevant. Po ashtu mundem të hyj edhe në poligraf, sepse unë jam i sigurt që ajo që ka ndodhë aty nuk ka kurrfarë lidhje me mua”, tha Arsenijeviq, duke shtuar se “nuk kisha me qenë aq budalla që t’i bëjë vetes diçka të tillë”. /Telegrafi/