Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, do të takohet sot me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për bisedime përfundimtare në lidhje me Irlandën e Veriut pas Brexit-it.
Pas këtij takimi, pritet një njoftim për marrëveshjet tregtare pas Brexit-it për Irlandën e Veriut, pas më shumë se një viti negociatash midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, shkruan BBC.
Protokolli i Irlandës së Veriut është një marrëveshje tregtare, e negociuar gjatë bisedimeve të Brexit, që u fut në fuqi në fillim të vitit 2021.
Ai lejon që mallrat të transportohen pa probleme përtej kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës pa kontrolle.
Para se të ndodhte Brexit, kjo ishte e thjeshtë sepse të dyja palët ndiqnin të njëjtat rregulla të BE-së.
Por pasi Britania e Madhe u largua nga BE-ja, nevojiteshin marrëveshje të veçanta tregtare sepse Irlanda e Veriut kufizohet me Republikën e Irlandës, e cila mbetet pjesë e BE-së.
Kjo u bë pika kryesore penguese e negociatave të Brexit midis MB dhe BE.
BE-ja ka rregulla strikte ushqimore dhe kërkon kontrolle kufitare kur disa mallra – si qumështi dhe vezët – mbërrijnë nga vende jo anëtare të BE-së.
Kufiri tokësor është një çështje e ndjeshme për shkak të së kaluarës së trazuar të Irlandës së Veriut dhe kishte frikë se kamerat ose pikat kufitare – si pjesë e këtyre kontrolleve – mund të shkaktonin paqëndrueshmëri të re.
Pra, Mbretëria e Bashkuar dhe BE nënshkruan Protokollin si pjesë e marrëveshjes së tërheqjes së Brexit për të mbrojtur marrëveshjen e paqes të Irlandës së Veriut – Marrëveshja e së Premtes së Mirë.
/KlanKosova/