Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Kurt Volker, beson se ngjarja në Manastirin e Banjskës, ku një grup terrorist hyri ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi policinë duke lënë të vrarë një pjesëtar të saj, u dizajnua në atë mënyrë për të provokuar një përgjigje të palës kosovare ndaj së cilës Serbia do të reagonte më pas.
“Mendoj se është e nevojshme të bëhet presion mbi Beogradin që të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar skenarë dhe provokime të tilla”, thotë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën serbe.
Top-diplomati amerikan është shprehur i bindur se një ngjarje e tillë tragjike nuk do të ndodhte në rast se do të kishte një mesazh të qartë se një gjë e tillë nuk është e mirëseardhur.
“Gjithashtu, është e nevojshme që të dyja palët të përpiqen të qetësojnë tensionet dhe të mos ndërmarrin asgjë që pala tjetër do ta konsideronte si provokim – që do të shkaktonte një lloj reagimi”, shton ai.
I pyetur për gjasat që Serbisë t’i vihen sanksionet, Volker thotë se një opsion i tillë është e mundur marrë parasysh se emërimi i Jim O’Brien si Ndihmës Sekretar i SHBA-ve për Evropën e Euroazinë do të sjellë “një pamje më të freskët për gjithçka”.
“Ne pamë që Serbisë iu kërkua të tërhiqte ushtrinë e saj nga kufiri. Duhet pritur dhe parë se si do të pozicionohen O’Brien në lidhje me pasojat e këtyre ngjarjeve. Mendoj se është e mundur ”. /Albanianpost.com