Suedia gjen rrjedhjen e katërt në gazsjellësin rus Nord Stream 2

Suedia ka gjetur një tjetër rrjedhje në gazsjellësin rus, duke u bërë i katërti me radhë që zbulohet brenda kësaj jave.

Danimarka dhe Suedia raportuan para disa ditësh për rrjedhje të gazit në gazsjellësat Nord Stream 1 dhe 2, duke alarmuar autoritetet për mundësi të një sulmi të qëllimshëm nga Rusia.

Madje, BE tha se këto rrjedhje ishin shkak i sabotazhit rus.

Mirëpo, Rusia mohoi këto pretendime dhe i quajti si ‘të parashikueshme dhe absurde’.

Roja bregdetare suedeze njofton se ka gjetur rrjedhjen e katërt në Nord Stream 2, shumë afër rrjedhjes së madhe të gjetur më herët në gazsjellësin Nord Stream 1, shkruan BBC.

Më parë, BE ka akuzuar Rusinë për shfrytëzimin e furnizimit të gazit si armë kundër Perëndimit, për shkak të përkrahjes së tij për Ukrainën.

Kurse, Norvegjia tha se do të vendosë ushtrinë e saj që të mbrojë instalimet e gazit dhe naftës.

Ndonëse, asnjë nga gazsjellësit nuk po transporton gaz momentalisht, edhe pse të dy ata janë të furnizuar me gaz.

Nord Stream 1 shtrihet në hapësirë prej 1200 km nën Detin Baltik nga bregu rus afër Shën Petersburg-ut deri në verilindje të Gjermanisë. Kurse, gazsjellësi tjetër Nord Stream 2, ka ndaluar transportimin e gazit pasi filloi agresioni rus në Ukrainë në muajin shkurt.

Mirëpo, seizmologët raportuan për shpërthime nëndetare para se të ndodhin rrjedhjet. Komanda daneze e mbrojtjes ka publikuar pamje të rrjedhjeve që shkaktuan fluska mbi Detin Baltik, ku më e madhja kishte diametër prej 1 km.

“S’ka asnjë dyshim që këto ishin shpërthime”, tha Bjorn Lund nga Qendra Kombëtare e Seizmologjisë në Suedi.

/KlanKosova/

Read Previous

UEFA: Kosova nuk mund të jetë në një grup me Serbinë dhe Bosnjën, në kualifikimet për EURO 2024

Read Next

Rohde: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira