Të paktën 16 persona kanë humbur jetën nga një stuhi e fuqishme e shoqëruar me tornado që ka goditur pjesë të shteteve amerikane Missouri dhe Kentucky, nga mbrëmja e së premtes deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, njoftuan zyrtarët lokalë.
Sipas sherifit John Root, nëntë persona humbën jetën në qarkun Laurel të Kentuckyt, ndërsa shumë të tjerë janë lënduar rëndë. Ai bëri të ditur se tornadoja goditi shtetin gjatë natës, dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim.
Në Missouri, zyrtarët konfirmuan pesë viktima në qytetin St. Louis dhe dy të tjerë në qarkun Scott, në juglindje të shtetit.
Autoritetet në St. Louis thanë se më shumë se 5 mijë shtëpi janë dëmtuar nga stuhia e fuqishme, e cila shkaktoi shkatërrime të mëdha, përfshirë rrëzimin e çative, thyerjen e dritareve, dëmtimin e fasadave, dhe rrëzimin e pemëve dhe shkëputjen e linjave të energjisë elektrike, duke lënë qindra mijëra familje pa rrymë.
Një nga të lënduarit është në gjendje kritike.
Zëdhënësi i policisë së St. Louis, Mitch McCoy, ka thënë se operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar, me ndihmën e patrullës shtetërore dhe shërbimeve emergjente nga qarqet përreth.
Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet në zonat e prekura./Koha.net