Strategjia Ushtarake 2024-2033, Shqipëria rrit numrin e forcave luftarake

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka hedhur në konsultim publik Strategjinë Ushtarake 2024-2033 ku argumentohet edhe arsyet që po shtyjnë drejt “rizgjimit të ushtrisë”.

Hartimi i Strategjisë Ushtarake është bazuar në ekspertizën më të mirë, duke përfshirë në grupin e punës për hartimin e tij komandantë, oficerë shtabi, ushtarakë pjesëmarrës në operacione kombëtare dhe ndërkombëtare, stafe akademike të institucioneve arsimore dhe studimore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, konsulencën e aleatëve strategjikë si dhe këshilli konsultativ në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Koncepti Strategjik i NATO-s thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me kërcënime dhe sfida, mes të cilave ndërhyrjet dëmprurëse dhe keqdashëse të palëve të treta.

Projektligji do të dërgohet për mendim në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Ministrinë e Financave, Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Shërbimin Informativ të Shtetit.

Sisteme antidron, anije luftarake, helikopterë e rijetësim të bazave ushtarake… Shqipëria i është bashkuar garës së madhe të armatimeve. Në një kohë që retorika e luftës është në kreshendo, vendi planifikon të shpenzojë 122 miliardë lekë për modernizimin dhe 61 miliardë lekë për infrastrukturën ushtarake.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes madje ka përgatitur edhe planin e reagimit të Forcave të Armatosura në rast lufte. Procesi nis me përpjekjet për mbrojtjen e territorit dhe popullatës. Gjithashtu, në rast sulmi ndaj Shqipërisë planifikohet të aktivizohet mbrojtja kolektive e NATO, ndërsa vendi do të shërbejë si pritës dhe transit gjatë luftimeve.

“Në mjedisin e përkeqësuar të sigurisë globale, Republika e Shqipërisë, njerëzit dhe interesat tona përballen me një gamë të gjerë rreziqesh dhe kërcënimesh të mundësuara edhe nga teknologjia. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës dhe përdorimi i forcës ushtarake pa kufizim, ka risjellë konfrontimet dhe kërcënimet konvencionale në Evropë me implikime të reja politike, ekonomike, sociale dhe ushtarake dhe ndikimin të paparashikuar në sigurinë e brishtë të rajonit tonë.”

Bashkë me strategjinë, në konsultim publik është hedhur edhe Plani Afatgjatë i Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024-2033. Në drejtim të infrastrukturës, do të vijojë modernizimi i Bazës Ajrore në Kuçovë bashkë me rindërtimin e garnizoneve ushtarake “Zall-Herr”, “Ferraj”, “Pezë Helmës” Pajet, Bizë e Mnelë.

Koncepti Strategjik i NATO-s theksohet në këtë strategji, thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) përballen me kërcënime dhe sfida, mes të cilave ndërhyrjet dëmprurëse dhe keqdashëse të palëve të treta. Po ashtu, Kompasi Strategjik i BE-së thekson se siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor nuk janë ende të garantuara dhe ekziston frika reale e destabilizimit nga përkeqësimi i situatës së sigurisë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ambicie për harmonizimin e politikave të brendshme me vendet e BE-së, por, paralelisht disa nga këto vende përballen me sfida, të cilët përpiqen të minojnë orientimin euroatlantik të vendeve të rajonit. Aktorë të huaj keqdashës të kryesuar nga FR-ja, duke shfrytëzuar Serbinë dhe Proxyt e saj në rajon, nëpërmjet mjeteve diplomatike, lidhjeve kulturore-fetare dhe aktiviteteve të inteligjencës, synojnë të shfrytëzojnë çështjet ndërtentike për të nxitur konflikte me synime dhe avantazhe gjeopolitike. Këto përpjekje destabilizuese të shfaqura në formën e kërcënimeve hibride ndikojnë negativisht në mjedisin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për rrjedhojë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj misionit të NATO-s/KFOR dhe prezencës së BE-së në rajon. Në këtë kontekst, Serbia vazhdon të luajë rolin e politikës dualiste mes interesave ekonomike evropiane dhe ndjekjen e politikave të sigurisë të FR-së në rajon.

Gjithashtu, deri në vitit 2033 do të bëhet kompletimi i ushtrisë me helikopterë “BlackHawk” dhe dronë pa pilotë. Vendi planifikon të zhvillojë edhe sistemin anti-dron, i ngjashëm me sistemin “Iron Dome” të Izraelit.

“Strategjia Ushtarake synon zhvillimin e një force e cila të jetë e aftë për të përmbushur me cilësi misionin dhe detyrat, brenda dhe jashtë vendit, më vete apo me aleatët. Krahas forcës aktive do të zhvillohet komponenti rezervist/vullnetar, i integruar dhe në harmoni me strukturën, kapacitetet dhe nevojat e FARSH-it.”

Ministria e Mbrojtjes planifikon që deri në vitit 2033, në radhët e ushtrisë shqiptare të shërbejnë mbi 9 mijë e 500 vetë nga rreth 6 mijë e 500 aktualisht.

Për të arrirë të gjitha këto objektiva, në vitin 2033 buxheti në dispozicion për mbrojtjen do të rritet në gati 74 miliardë lekë nga më pak se 49 miliardë aktualisht.

“Burimet financiare për mbështetjen e shpenzimeve të mbrojtjes sigurohen nga buxheti i shtetit për mbrojtjen dhe nga programet e bashkëpunimit ushtarak. Për të garantuar zhvillimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e forcës së ardhshme profesioniste që do të mundësojnë plotësimin e misionit dhe të NiA. Në zbatim të angazhimit të krerëve të shteteve në Samitin e Vilniusit, 2% i PBB do të jetë, duke filluar nga 2024, vetëm dysheme dhe jo më tavan i buxhetit të Mbrojtjes. Vetëm një mbështetje me jo më pak se 2% të PBB-së do të mundësojë arritjen e objektivave të përcaktuar në këtë draft dokument, duke mundësuar ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme ne funksion të mbrojtjes kombëtare dhe asaj kolektive”, thuhet në strategjinë e hartuar./rtklive

Read Previous

Fruthi, sëmundje virale – flet Dr. Gëzim Xharra

Read Next

Neurologu Jetishi: Stili i jetesës ka rëndësi në trajtimin e Parkinsonit