Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, konsideroi se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse ua “çeli sytë” liderëve të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, rreziku i ripërshkallëzimit nuk është tejkaluar.
Në një intervistë ajo alarmoi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, duke marrë mbështetje nga presidenti rus, Vladimir Putin, mund të nxisë konflikt në Ballkanin Perëndimor. E zgjerimi i harkut të krizës që shtrihet nga lufta midis Ukrainës dhe Rusisë e deri te konflikti midis Armenisë e Azerbajxhanit, mund të bartet edhe në rajon.
“Perëndimi çeli sytë dhe sheh sot më shumë se më parë, por kjo nuk mjafton. Vuçiç, me mbështetjen e Moskës, do të vazhdojë përshkallëzimin – kjo është strategjikisht e rëndësishme për presidentin serb, sepse, duke e çuar rajonin në prag të luftës dhe duke frikësuar Perëndimin, ai e përdorë situatën si mjet pazaresh”, konsideroi analistja dhe studiuesja amerikane.
“Duhet kujtuar se pak muaj më parë u plagosën të paktën 30 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR). Çfarë bëri NATO? Asgjë, veç se shkroi se është shumë e shqetësuar. Kjo është dhurata më e madhe për Putinin, i cili po përpiqet të tregojë se NATO nuk është gjë tjetër veçse një ‘tigër letre’ dhe se nuk do të bëjë asgjë”, shtoi ndër të tjera Stradner.
Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë bërë pjesë e një problemi më të madh të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se nën hijen e konflikteve të mëdha, papritur shpërthejnë konfliktet e ngrira, posaçërisht në një rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike, por edhe përqëndrimit tradicional të ndikimit midis Perëndimit dhe Lindjes.
Për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndër-etnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet. /Albanianpost.com