Sot ka nisur takimi dyditor i udhëheqësve të shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Vilnius të Lituanisë, gjersa para nisjes së samitit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg foli për tensionimin e situatës në veri të Kosovës, ku sërish u bëri thirrje palëve që të përmbahen nga çdo veprim që mund t’i rrisë tensionet.
Në një paraqitje para mediave ai u pyet rreth kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për takim, ndërkaq Stoltenberg tha se është në kontakt të rregull me Vuçiqin dhe i gatshëm për t’u takuar.
“Jam në kontakt të rregullt me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe sigurisht jam gati të takohem”, tha ai.
Stoltenberg tha se janë të shqetësuar për tensionet e shtuara në Kosovë dhe u bëri thirrje palëve për depërshkallëzim si dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë më tej tensionet në rajon.
“NATO është e pranishme në Kosovë, ne kemi forcat e KFOR-it që janë atje për të garantuar siguri dhe stabilitet për Kosovën dhe njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha ndër të tjera shefi i NATO-s.
/Telegrafi/