Britania e Madhe planifikon të blejë të paktën 12 avionë luftarakë F-35A të aftë për të mbajtur armë bërthamore dhe t’i bashkohet misionit bërthamor ajror të NATO-s.
”Kryeministri Keir Starmer në samitin e NATO-s në Holandë u bëri thirrje shteteve anëtare të forcojnë angazhimin e tyre ndaj aleancës”, sipas një njoftimi zyrtar për shtyp.
Avionët luftarakë F-35A janë të aftë të mbajnë armë konvencionale, por mund të pajisen edhe me bomba bërthamore të prodhuara në SHBA nëse është e nevojshme.
Avioni luftarak i gjeneratës së pestë, i prodhuar kryesisht nga kompania amerikane ”Lockheed Martin”, renditet ndër avionët më të përparuar në botë, megjithëse është gjithashtu një nga më të kushtueshmit.
“Në një epokë pasigurie radikale, nuk mund ta marrim më paqen si të mirëqenë, prandaj qeveria ime po investon në sigurinë tonë kombëtare”, tha Starmer.
Downing Street e përshkroi këtë veprim si “forcimin më të madh të pozicionit bërthamor të Britanisë së Madhe”.
“Angazhimi i Britanisë së Madhe ndaj NATO-s është i padiskutueshëm, siç është edhe kontributi i aleancës për të mbajtur vendin tonë të sigurt. Të gjithë duhet të bëjmë hapa për të mbrojtur zonën euroatlantike për brezat që do të vijnë”, theksoi Starmer. /ATSH-AA/