Stano: Ngjarjet në veri s’duhet të ndikojnë në takimin mes Bislimit dhe Petkoviç-it

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, gjatë një konference për media të hënën, tha se BE-ja ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga vlerësimet apo interpretimet të cilat mund ta prishin atmosferën në dialog.

Ai tha se shpreson se ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës me djegien e makinave nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit, të cilët do të takohen më 4 në Bruksel.

Stano, ashtu siç transmeton Radio Evropia e Lirë, tha se presin nga të dyja palët “që të kontribuojnë në krijimin dhe mbajtjen e një atmosfere e cila ndihmon normalizimin dhe pajtimin, dhe nevojën për implementimin e obligimeve që palët kanë marrë mbi vete”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, do të takohen të martën në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Takimin e 4 prillit, zëdhënësi i BE-së e cilësoi si “shumë të rëndësishëm”, sepse sipas tij, “palët do të mblidhen për herë të parë që nga marrëveshja e Ohrit dhe do të diskutojnë pikërisht për hapat e nevojshëm për implementimin e obligimeve që dalin nga ajo marrëveshje dhe nga aneksi i saj”.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të Planit Evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin Zbatues të Marrëveshjes 11-pikëshe.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Megjithatë, gjatë tri ditëve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar djegie të veturave me targa të Kosovës, të cilat janë ri-regjistruar nga targat ilegale KM të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Në fakt, djegia e veturave ka filluar qysh vitin e kaluar kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa legale.

/AlbanianPost/

Read Previous

Escobar viziton Tiranën dy ditë para nisjes së fushatës elektorale

Read Next

Presidentja Osmani: Mbështetja dhe inkurajimi janë thelbësore për fëmijët me autizëm