Kosova dhe Serbia çfarëdo vendimi që marrin në raport me njëra-tjetrën duhet t’i përmbahen marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kështu të paktën ka bërë të ditur Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media, të premten, kur u pyet për vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, e cila, asokohe erdhi si pasojë e arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.
“Ata duhet të përmbahen nga hapat që nuk janë të koordinuara, të njëanshme dhe në çdo gjë që bëjnë duhet të fokusohen në zbatimin e marrëveshjeve në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Në mes të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia për, siç tha, arsye sigurie. Kjo ndodhi pasi tre policë të Kosovës, u arrestuan nga forcat serbe. Edhe pse policët u liruan nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, ndalesa mbeti në fuqi.
Duke e komentuar këtë çështje, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se masa e tillë është marrë për shkak se “ekziston rreziku që krahas mallrave, në Kosovë të futen edhe armë”./Albanianpost.com