Fluksi i pacientëve me simptoma të helmimit po vazhdon të jetë i madh në Qendrën kryesore të mjekësisë familjare “Adem Ukëhaxhaj” në komunën e Deçanit. Në 24 orët e fundit më simptoma të njëjta të helmimit në këtë qendër kanë kërkuar trajtim mjekësor 310 pacientë, ndërsa që nga mëngjesi e deri në mesditë mjekim kanë kërkuar 55 deçanas. Për shkak të rritjes së rasteve dje komuna e Deçanit mori vendim që të shpallë gjendje emergjente në gjithë territorin e komunës së saj, pasi që mbi 1500 qytetarë janë helmuar nga rrethana dhe shkaktarë ende të panjohur për autoritetet shëndetësore. Një numër i konsiderueshëm i të helmuarve kanë kërkuar trajtim edhe në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, ku prej tyre 3 janë të hospitalizuar.
Lidhur me këtë situatë spitali i Gjakovës ka krijuar ekipin emergjent për t’i dal në ndihmë komunës së Deçanit. Drejtori Hilmi Shala tha se poashtu kanë përgatitur edhe listën esenciale për të furnizuar QKMF me medikamente të nevojshme.
Theksojmë se gjatë ditës së djeshme udhëheqësit e institucioneve kanë vizituar pacientët e shtrirë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, dhe nga këtu është bërë thirrje për hetim sa më të shpejtë të këtij rasti.