Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, iu është drejtuar sot me një mesazh sensibilizues votuesve nga Diaspora për regjistrimin në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Përgjatë tre dekadave të fundit, emigrimi është bërë një faktor dhe burim i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë. Të vendosur në vendet fqinje, Itali dhe Greqi, në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada e gjetkë, emigrantët shqiptarë shquhen për punën e tyre të palodhur, për integrimin e shpejtë, për marrëdhëniet e ngushta, miqësore e njerëzore me popullsitë vendase si edhe me institucionet në vendet pritëse”.
Sipas kryeparlamentares “ky kontribut i emigrantëve shqiptarë është njohur e vlerësuar nga institucionet dhe qytetarët e këtyre vendeve”.
“Përveç përkushtimit për familjet e fëmijët e tyre në vendet ku jetojnë, vëllezërit dhe motrat tona nga emigracioni kanë kontribuar përgjatë tranzicionit të vështirë dhe vijojnë të kontribuojnë edhe në mirëqenien e familjeve të tyre në Shqipëri. Rreth një miliard euro në vit vlerësohen të ardhurat që hyjnë në vendin tonë nga emigracioni gjatë viteve të fundit”.
Më tej shton se “me dërgesat e tyre, emigrantët shqiptarë kontribuojnë jo vetëm për mirëqenien e familjeve të tyre, por edhe për ekonominë dhe zhvillimin e Shqipërisë”.
“Mjaft prej tyre kanë sjellë në Shqipëri investime private, shpesh edhe në bashkëpunim me partnerë nga vendet ku punojnë e jetojnë. Kanë krijuar dhe i kanë sjellë shoqërisë shqiptare kapital social e njerëzor, vlera të shtuara kulturore e qytetëruese. Por edhe kujdesi i shtetit shqiptar për emigrantët nuk ka munguar. Marrëveshjet për pensionet janë nënshkruar me mjaft vende pritëse. Pas ratifikimit nga Dhoma e Deputetëve, shumë shpejt pritet ratifikimi kësaj marrëveshjeje edhe nga Senati i Italisë”.
“Motra e vëllezër emigrantë, regjistrohuni për të votuar, në mënyrë që të ushtroni të drejtën dhe ndikimin tuaj në vendimmarrjet për punët tona të përbashkëta, që Shqipëria jonë të afrohet sa më shpejt me standartet e vendeve perëndimore ku jetoni. Shqipëria ka nevojë jo vetëm për dërgesat tuaja, por edhe për votën tuaj”. /Albanianpost.com