Spanja i propozon BE-së krijimin e një fondi të përhershëm lidhur me ndryshimet klimatike

Spanja po i bën thirrje Bashkimit Evropian të krijojë fond të përhershëm për përshtatjen klimatike të financuar pjesërisht nga taksat mbi fitimet e kompanive të naftës dhe gazit dhe avionëve privatë, raportoi sot e përditshmja spanjolle “El Pais”, transmeton Anadolu.

Ministria e Tranzicionit Ekologjik të Spanjës ia dërgoi propozimin të enjten Komisionerit të BE-së për Klimën, Wopke Hoekstra ndërsa Komisioni Evropian përgatit një kuadër të integruar të qëndrueshmërisë klimatike që pritet të paraqitet këtë vjeshtë.

Madridi propozoi “sistem të përhershëm të reagimit ndaj emergjencave klimatike të BE” që do të reformonte mekanizmat ekzistues për të krijuar një kapacitet plotësisht të integruar, të dislokueshëm me shpejtësi, të mbështetur nga burime më të mëdha të përbashkëta.

Këto burime mund të përfshijnë një flotë të dedikuar evropiane të zjarrfikësve ajrore. “Ne nuk mund të vazhdojmë thjesht të vlerësojmë humbjet. Është koha për t’i parashikuar ato”, tha ministrja e Tranzicionit Ekologjik, Sara Aagesen në një letër drejtuar Hoekstra-s që shoqëronte propozimin, sipas “El Pais”.

Qeveria propozoi rritjen e të ardhurave të reja nëpërmjet “mekanizmave inovativë”, përfshirë taksë të mundshme për fluturimet luksoze dhe një taksë të përhershme të BE-së mbi fitimet në sektorin e naftës dhe gazit. Dokumenti sugjeroi lëshimin e borxhit të përbashkët evropian për të ndihmuar në mbylljen e hendekut të financimit për masat e përshtatjes klimatike.

Propozimi vjen pas nxehtësisë ekstreme, thatësirës dhe zjarreve që goditën pjesë të Evropës këtë verë. Spanja përjetoi verën e saj më të nxehtë në histori, me më shumë se 5.000 vdekje që i atribuohen temperaturave të larta.

“Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër, me afërsisht dyfishin e normës mesatare globale”, tha Aagesen. Ajo paralajmëroi se “shumë shtete anëtare janë shumë të ekspozuara” dhe se “qasjet reaktive janë të pamjaftueshme për të adresuar rreziqet”.

Sipas dokumentit, vendet anëtare të BE-së humbën rreth 208 miliardë euro (242 miliardë dollarë) për shkak të motit ekstrem dhe ngjarjeve të lidhura me klimën midis 2021 dhe 2024. Përtej financimit, Spanja bëri thirrje për objektiva të detyrueshme të përshtatjes klimatike të BE-së dhe që rreziqet klimatike të përfshihen sistematikisht në vendimet e infrastrukturës, investimeve dhe planifikimit.

Madridi propozoi një sistem evropian risigurimi publik-privat që do të bashkonte rreziqet klimatike midis shteteve anëtare, pasi ndryshimi i klimës kërcënon gjithnjë e më shumë të lërë familjet dhe bizneset pa mbulim adekuat sigurimi. /Anadolu Agency/

Read Previous

Ministri Hoxha: Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare të procesit të pranimit në BE

Read Next

Gonçalo Ramos: Nëse Milani ka shpenzuar kaq shumë, do të thotë se ka besim tek unë