Rutte: NATO planifikon ta zvogëlojë praninë e KFOR-it në Kosovë
SpaceX ka kaluar Amazon në vlerën e tregut, pas një rritjeje të re të aksioneve, që ka forcuar ndjeshëm pozicionin e kompanisë së Elon Musk në tregjet globale të teknologjisë dhe hapësirës.
Sipas të dhënave të FactSet, SpaceX u rrit me 4.8% të martën, duke e çuar vlerën e saj të tregut në rreth 2.659 trilionë dollarë. Kjo shifër e vendos kompaninë përpara Amazon, e cila në mbylljen e tregut vlerësohej në 2.646 trilionë dollarë.
Rritja e shpejtë ka bërë që SpaceX të shtojë rreth 537 miliardë dollarë në vetëm dy ditë tregtimi, një zhvillim që analistët e përshkruajnë si një nga lëvizjet më të forta të vlerësimit në sektorin teknologjik.
Sipas të dhënave të publikuara, ky zhvillim reflekton ndikimin e madh të Elon Musk në tregjet financiare dhe aftësinë e kompanive të tij për të gjeneruar kapital përmes vlerës së aksioneve, të cilat përdoren gjithnjë e më shumë si instrument financiar për zgjerim dhe blerje.
Në të njëjtën kohë, SpaceX ka njoftuar një marrëveshje prej 60 miliardë dollarësh në aksione për blerjen e startup-it të Inteligjencës Artificiale, Cursor, një lëvizje që synon forcimin e divizionit të saj të AI dhe konkurrencën me kompani si Anthropic dhe OpenAI.
Marrëveshja konsiderohet gjithashtu një sinjal i qartë se SpaceX po zgjerohet përtej biznesit tradicional të raketave dhe satelitëve, duke u pozicionuar gjithnjë e më shumë si një konglomerat teknologjik që përfshin hapësirën, inteligjencën artificiale dhe platformat digjitale.
Rritja e vlerës së SpaceX ka nxitur debat në tregjet financiare mbi fuqinë e kapitalizimit të kompanive private të teknologjisë dhe ndikimin që ato po ushtrojnë në ekosistemin global të inovacionit dhe konkurrencës. /Albanianpost.com