Sot vazhdon seanca konstituive

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot nga ora 15:00 do të mblidhen në sallën e seancave plenare ku do të vazhdohet seanca konstituive, me qëllim zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas nënkryetarëve.

Lëvizja Vetëvendosje synon ta propozojë për herë të tretë për kryetare të Kuvendit Albulena Haxhiun, pasi dy herë dështoi zgjedhja e saj në seancën që u mbajt të shtunën, shkruan Reporteri.net.

Është vet Haxhiu që ka konfirmuar se ajo do të jetë sërish kandidate e VV-së për kryetare të Kuvendit.

“I përket VV-së ta bëjnë propozimin e radhës, do të jetë emri i njëjtë, faleminderit”, tha Haxhiu pas seancës të së shtunës ku dy herë nuk arriti të marrë më shumë se 57 vota të deputetëve, e që për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit nevojiten 61.

Propozimi që Albulena Haxhiu të marrë postin e kryeparlamentares në legjislaturën e nëntë mori votat e Lëvizjes Vetëvendosje, të gjithë deputetëve të pakicave joserbe përveç Duda Bales dhe Veton Berishës. Me 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime.

Pro zgjedhjes së Haxhiut si kryeparlamentare votoi edhe Nenad Rashiq, partia e së cilit ka siguruar një nga dhjetë ulëset që u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb.

Kundër zgjedhjes së Haxhiut votuan deputetët e zgjedhur të LDK-së, ndërsa ata të Nismës Socialdemokrate abstenuan.

Ndërkohë, PDK-ja, Lista Serbe dhe disa deputetë të AAK-së s’morën pjesë në votim.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha një ditë më parë se do ta votonin propozimin për kryetare të Kuvendit, nëse LVV-ja do ta zëvendësojë Haxhiun me një deputet tjetër.

Haradinaj të shutnën në Kuvend tha se partia e tij do të jepte votën pro, nëse Vetëvendosje propozon për kryetare të Kuvendit, Shqipe Selimin ose Saranda Bogujevcin.

Kujtojmë se në përpjekjen e tretë, me votat e partive opozitare u zhbllokuan dy hapa, ai i konfirmimit të mandateve dhe betimi i deputetëve. /Reporteri.net/.

Read Previous

Parashikimi i motit për sot

Read Next

Sot bëhen 35 vjet nga lirimi i Adem Demaçit nga burgjet e Jugosllavisë