Sot përpjekja e 25-të për konstituimin e Kuvendit

Për të 25-tën herë, sot nga ora 10:30 do të tentohet të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Por as sot nuk duket se do të ketë dritë në fund të tunelit, kjo pasi nga partia e Albin Kurtit kanë bërë të ditur se e propozuara e tyre për kryetare të Kuvendit do të jetë sërish Albulena Haxhiu, për të cilën PDK, LDK e AAK kanë bërë të qartë se nuk e votojnë, shkruan Reporteri.net.

Lëvizja Vetëvendosje përmes deputetes të saj, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar dje se nuk do ta ndërrojnë propozimin për kryeparlamentare, ndërsa kanë drejtuar akuza në drejtim të partive që ishin në opozitë se nesër do të pamundësojë kuorumin.

“LVV njëmend nuk e ndërron propozimin, por tanimë çështja është kuorumi për votimin e fshehtë dhe jo Albulena. Në kundështim me pikën 128 të aktgjykimit të GjK nga viti 2014, opozita do ta pamundësojë kuorumin për herën e 17!”, ka shkruar ajo dje në Facebook.

Të shtunën pasi dështoi seanca, deputeti Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se po vazhdojnë bisedimet me NISMA-n për arritjen e një marrëveshje.

Ai tha se do të vazhdojnë t’i dëgjojnë kërkesat dhe mendimet e partisë së Limajt.

“Ne jemi në diskutim me NISMA-n për të gjitha temat. Do të vazhdojmë t’i dëgjojmë kërkesat dhe mendimet e tyre. Këtë kontakt jemi duke e bërë vazhdimisht dhe do të kontaktojmë çdo deputet, të cilët nuk e kanë humbur arsyen nga partitë e tyre relevante dhe të dalim nga kjo krizë sa më shpejtë”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku ka thënë se Kuvendit të Kosovës i nevojitet një figurë si e Fatmir Limaj dhe se ka vullnet që të dilet nga ngërçi politik.  /Reporteri.net/.

Read Previous

Parashikimi i motit për sot

Read Next

Sot nis Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë