Sot përpjekja e 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Sot do të bëhet përpjekja e 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.  Seanca konstituive, e ndërprerë të dielën do të vazhdojë në orën 10:00. Kjo do të jetë seanca e 15-të çdo 48 orë që nga 15 prilli, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Në seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë. Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV-së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

Presidentja Vjosa Osmani do të tentojë të gjejë një zgjidhje me krerët e partive politike pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituim të Kuvendit. Nga e enjtja, ajo do të fillojë një seri konsultimesh me liderët e partive rreth konstituimit të Kuvendit, që ka dështuar tash e një muaj. Në një takim synon t’i mbledh liderët e partive shqiptare, teksa në një takim tjetër ata të minoriteteve. Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar liderët e partive që deri vonë kanë qenë në pozitë, derisa nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ende s’janë përgjigjur nëse do t’i shkojnë Osmanit në takim.

Nevoja për krijim sa më të shpejtë të institucioneve është theksuar edhe në takimin e së hënës që ka pasur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me ambasadorët e QUINT’it. Në njoftimin e ZKM-së u tha se temë qendrore e takimit ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, mirëpo ambasadorët deklaruan ndryshe.

Ambasadori britanik Jonathan Hargreaves përmes një deklarate në Facebook, tha se e ka inkurajuar Kurtin për formimin e qeverisë së re. Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë njoftoi se në takim është theksuar nevoja për formimin sa më të shpejt të një qeverie të re, që Kosova të ecë përpara në rrugën euroatlanatike./Reporteri.net/

Read Previous

Parashikimi i motit për sot

Read Next

Numërohen mbi 93% e kutive të votimit në Shqipëri