Sigurimet shëndetësore, Kurti: Nuk duhet të shihet si shkop magjik

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se po përgatitet Ligji për sigurimet shëndetësore, duke theksuar se kur ato të realizohen, për qytetarët do të jetë kosto shtesë, “të paguhet një herë, në mënyrë që të mos paguaj më vonë”.

Kurti, është shprehur se sigurimet shëndetësore, nuk duhet të shihen si një lloj “shkopi magjik”.

“Ligjin për sigurime shëndetësore jemi duke e përgatitur dhe nëse jo në mbledhjen e ardhshme të Qeverise e cila mbahet nesër, atëherë në mbledhjen tjetër të radhës të Qeverisë, do të jetë për miratim e me pastaj do t’i ndjek procedurat në Kuvendin e Republikës së Kosovës.. Kur të bëhen sigurimet shëndetësore, tek qytetari do të ketë një kosto shtesë, sepse sigurimet shëndetësore, nënkuptojnë që të paguajnë paraprakisht, për atë që eventualisht mund të na ndodhë më vone. Do të na duhet që të paguajmë një herë, në mënyrë që të mos paguajmë më vonë. Nuk duhet parë si një lloj shkopi magjik i cili do të na parandalojë sëmundjet ose do të na eliminojë ato nëse i kemi”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka shtuar se të gjithë këto renovime që po bëhen në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës, po bëhen edhe me qëllimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore, pasi që sipas tij, nuk mund t’u kërkosh qytetarëve 3.5 për qind më shumë nga paga e tyre, nëse ata nuk kanë shërbime të reja dhe të duhura.

“Qytetarëve thjesht nuk mund t’iu kërkosh 3.5 për qind më shumë nga paga e tyre, e as punëdhënësve nuk mund t’u kërkosh ekstra 3.5 për qind nga paga, pa pasur besim, investime dhe shërbime të reja. E gjitha kjo është në kuadër edhe të punës që po e bëjmë për funksionalizmin e sigurimeve shëndetësore. Tani më kanë përfunduar të gjitha fazat edhe me konsulta paraprake dhe diskutime publike dhe është në përfundim ligji për sigurime shëndetësore, i cili do të jetë një ligj praktike dhe do të fillojë zbatimin sa më shpejtë që është e mundur”, ka shtuar ai.

Nga viti 2011, Ministria e Shëndetësisë kishte provuar fillimin e zbatimit të këtij sistemi në tri faza, të cilat synoheshin të realizohen deri në vitin 2020. Mirëpo, ky sistem nuk është realizuar. /KosovaPress/ 

Read Previous

Zyrtare: Francisco Conceicao, lojtar i ri i Juventusit

Read Next

Zgjedhjet në SHBA: Çfarë duhet të presë Kosova nga Kamala Harris?