Rusia ka krijuar një “flotë fantazmë” prej 400 cisternash që transportojnë 4 milionë fuçi naftë në ditë në mbarë botën.
Kjo, duke gjeneruar miliarda dollarë fitime në vit, me të cilat Moska financon luftën kundër Kievit.
Të blera nga firmat ligjore londineze, të regjistruara në kompani anonime në parajsat fiskale dhe të menaxhuara përmes një kompanie në Dubai, anijet lejojnë Kremlin-in të anashkalojë sanksionet perëndimore për pushtimin e Ukrainës.
Ato përfaqësojnë gjithashtu një rrezik serioz mjedisor, sepse janë cisterna të përdorura të naftës, të cilat e kanë tejkaluar shumë kohën e tyre të sigurt të lundrimit dhe duhet të hiqen: ekspertët i quajnë “një fatkeqësi që pret të ndodhë”.
Plani i orkestruar nga Moska u zbulua nga një investigim i “Financial Times”, i cili përmend një avokat të moshuar britanik dhe një pronar anijesh anglo-pakistanez midis bashkëpunëtorëve të operacionit.
I pari, John Ormerod, 74 vjeç, bleu personalisht të paktën 25 cisterna të përdorura të naftës në emër të Rusisë midis dhjetorit 2002 dhe gushtit 2023, me një kosto totale prej mbi 700 milionë dollarë.
I dyti, Muhammad Tahir Lakhani, një manjat i anijeve me origjinë pakistaneze dhe nënshtetësi britanike, menaxhon flotën ruse të cisternave të naftës përmes kompanisë së tij me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Secila prej anijeve u ble nga një kompani e ndryshme, e krijuar posaçërisht për këtë rast nga avokati Ormerod në Ishujt Marshall: një arkipelag i vogël në Paqësor që luan një rol kyç në industrinë e transportit detar, duke ofruar një flamur komoditeti për anijet që janë të regjistruara në territorin e saj.
Pavarësisht se kanë një popullsi prej vetëm 40 mijë banorësh dhe as një rafineri, Ishujt Marshall janë statistikisht një nga importuesit më të mëdhenj të naftës në botë: pas Panamasë, ata kanë numrin e dytë më të madh të anijeve që mbajnë flamurin e saj.
Por cisternat e blera nga avokati anglez janë paguar me para nga Lukoil, gjiganti rus i naftës.
Dhe në letër, gjithçka është e ligjshme. Deri në sanksionet e vendosura nga Perëndimi pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Moska transportonte naftën e saj nga një skaj i planetit në tjetrin me cisterna perëndimore.
Masat ndëshkuese të marra nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe aleatët e tyre nuk i kanë lejuar më anijet perëndimore të transportojnë naftën e Kremlin-it.
Por Rusia, falë një sërë operacionesh të ngjashme me ato që iu caktuan avokatit Ormerod dhe manjatit pakistanez Lakhani, arriti ta anashkalojë problemin.
Shumica e cisternave të naftës ndryshuan emrat e tyre pas blerjes së tyre nga kompanitë e kontrolluara nga Moska.
Nafta ruse vazhdon të udhëtojë e patrazuar, duke u shitur vendeve që nuk kanë miratuar sanksione ose që po i shmangin ato.
Shumica e miliarda dollarëve të ardhura të krijuara në këtë mënyrë përdoren nga Vladimir Putin për të vazhduar financimin e luftës në Ukrainë.
Flota fantazmë ruse përbën gjithashtu një kërcënim tjetër për Perëndimin.
Në mënyrë tipike, kompanitë perëndimore të naftës dërgojnë një anije për skrap pas 15 vitesh shërbimi.
Mosha mesatare e cisternave të naftës të përdorura të blera nga Moska është 18 vjet.
Shumë prej tyre nuk kanë as politika adekuate sigurimi për derdhjet aksidentale të naftës.
“Nga Deti Baltik në Mesdhe, këto anije transportojnë naftë ruse në ujërat perëndimore”, paralajmëron Benjamin Hilgenstock, një ekspert i konsultuar nga gazeta financiare britanike. “Tashmë kanë ndodhur disa incidente të vogla. Një fatkeqësi e madhe është vetëm çështje kohe”.
Siç mund të kishte ndodhur majin e kaluar, kur Canis Power, një nga cisternat e naftës 20-vjeçare në flotiljen ruse, ishte në telashe për gjashtë orë, dy milje detare larg brigjeve të Danimarkës.
Nëse do të kishte ndodhur një aksident, anija do të kishte derdhur 300 mijë fuçi naftë në det, duke shkaktuar dëme të paçmueshme mjedisore në rajon.
Investigimi, përfundon Financial Times, ilustron rolin që avokatët dhe kompanitë e transportit detar mund të kenë luajtur në ndihmën e Rusisë për të anashkaluar sanksionet perëndimore kundër industrisë së saj të naftës.
Londra ka qenë qendra e industrisë globale të transportit tregtar për shekuj: shtëpia e pronarëve të anijeve të industrisë, agjentëve të transportit detar, zyrave ligjore dhe kompanive të sigurimit. /la Repubblica/Albanian Post/