Si financohet Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe pse mbështetet kaq shumë te Bill Gates?

Fondacioni Bill & Melinda Gates – i cili ende qëndron i fortë pavarësisht se dy bashkëthemeluesit e tij u ndanë pas 27 vjetësh martesë – tha muajin e kaluar se nuk ishte “e drejtë” që ai të merrte një rol kaq të madh në financimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Me kalimin e viteve, filantropët miliarderë janë bërë donatori i dytë më i madh i OBSH-së, duke e bërë agjencinë shëndetësore të varur shumë nga mbështetja e tyre për të vazhduar funksionimin.

Ekspertët globalë të shëndetit thonë se ndonëse këto para janë të mirëseardhura, ato i japin Gates një ndikim të jashtëzakonshëm dhe nënvizojnë problemin kronik të financimit me të cilin përballet OBSH, edhe pse përballet me gjithnjë e më shumë kriza shëndetësore, raporton EuroNews.

“OBSH ka një buxhet vjetor më pak se sasia e një spitali të madh mësimor në Shtetet e Bashkuara dhe një e katërta e buxhetit të Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC)”, tha Lawrence Gostin, Drejtor i Qendrës Bashkëpunuese të OBSH-së për Ligjin Kombëtar dhe Global të Shëndetit.

“Megjithatë organizata ka një përgjegjësi të madhe globale për shëndetin, duke përfshirë përgjigjen ndaj urgjencave të mëdha të shëndetit publik si COVID-19, Mpox (dikur lija e majmunëve), Ebola dhe poliomieliti”, tha ai për Euronews Next.

Bordi ekzekutiv i OBSH-së do të zhvillojë një takim në Gjenevë duke kërkuar një rol edhe më të madh për t’u përgatitur më mirë për pandeminë e ardhshme, por ende nuk ka përgjigje se si të financohet.

Si financohet OBSH-ja?

Agjencia shëndetësore merr fonde nga shtetet anëtare që paguajnë tarifat e anëtarësimit, krahas donacioneve shtesë vullnetare nga shtetet anëtare dhe partnerë të tjerë si Fondacioni Bill & Melinda Gates.

Vendet anëtare paguajnë ato që quhen “kontribute të vlerësuara”, një përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB-së së një vendi – të rënë dakord çdo dy vjet në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë. Zakonisht, këto shuma mbulojnë më pak se 20 për qind të buxhetit total të OBSH-së.

Kjo do të thotë se mbi 80 për qind e financimit të OBSH-së mbështetet në “kontribute vullnetare”, që do të thotë çdo shumë parash e dhënë lirisht nga donatorët, qofshin shtetet anëtare, OJQ-të, organizatat filantropike apo entitete të tjera private.

Këto kontribute vullnetare zakonisht janë të destinuara për projekte ose sëmundje specifike, që do të thotë se OBSH nuk mund të vendosë lirisht se si t’i përdorë ato.

“Aktualisht, OBSH ka kontroll të plotë vetëm rreth një të katërtën e buxhetit të saj”, tha Gostin.

“Prandaj OBSH nuk mund të përcaktojë axhendën globale të shëndetit dhe iu është dashur të pranojë ofertën e donatorëve të pasur, jo vetëm të kombeve të pasura në Evropë dhe Amerikën e Veriut, por edhe të filantropive të pasura si Fondacioni Gates”.

Megjithëse Gostin “me siguri” dëshiron që Fondacioni të vazhdojë financimin e OBSH-së, ai argumentoi se organi shëndetësor duhet të jetë në gjendje të përdorë fondet “sipas gjykimit të organizatës për çështjet që Drejtori i Përgjithshëm beson se janë më të rëndësishmet në botë”.

Vetëm Fondacioni Bill & Melinda Gates është përgjegjës për mbi 88 për qind të shumës totale të dhuruar nga fondacionet filantropike për OBSH-në. Kontribues të tjerë përfshijnë Fondacionin e Familjes Bloomberg (3.5 përqind), Wellcome Trust (1.1 për qind) dhe Fondacionin Rockefeller (0.8 për qind).

Ndonëse forma e buxhetit total të OBSH-së ka ndryshuar me kalimin e viteve, Fondacioni Gates ka mbetur vazhdimisht ndër kontribuesit e tij kryesorë.

Në vitin 2018-2019, Shtetet e Bashkuara ishin donatori më i madh me 893 milionë dollarë, duke zënë rreth 15 për qind të buxhetit të OBSH-së. Fondacioni Gates doli i dyti, me 531 milionë dollarë.

Gjermania kaloi shkurtimisht SHBA-në si donatori më i madh në vitin 2020-2021 gjatë shkurtimeve të financimit të kohës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, por Fondacioni mbajti vendin e tij të dytë. Donatorë të tjerë kryesorë përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar dhe Komisionin Evropian.

Probleme me resurse

Kelley Lee, një profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin Simon Fraser, e cila ka shkruar një libër për OBSH-në, tha se agjencia vuan “një mungesë kronike në burime” duke penguar aftësinë e saj për të përmbushur me sukses mandatin e saj origjinal.

Ajo shpjegoi se situata u përkeqësua ndjeshëm kur vendet anëtare vendosën të ngrinin kontributet e tyre të vlerësuara në vitet 1980 dhe 1990.

“Kjo do të thotë se buxheti dyvjeçar i OBSH-së është zbehur gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës. Duke iu afruar pandemisë COVID-19, OBSH po shkurtonte stafin dhe aktivitetet duke përfshirë kapacitetin e saj për t’iu përgjigjur urgjencave shëndetësore”, tha ajo.

“OBSH-ja më pas duhej t’i bënte thirrje komunitetit global për burimet e nevojshme për të luftuar pandeminë. Është si të ndërtosh një stacion të zjarrfikësve kur shpërthen zjarri”.

Si rezultat i ngrirjes së një pjese të buxhetit të saj, OBSH është mbështetur gjithnjë e më shumë në kontributet vullnetare, pjesa e të cilave u zgjerua nga rreth një e katërta e buxhetit total në vitet 1970 në rreth 80 për qind sot.

Si përdoren fondet?

Shumica e këtyre kontributeve vullnetare janë “të specifikuara” – që do të thotë se ato janë të lidhura me një program specifik ose fushatë shëndetësore në një pjesë të caktuar të botës dhe iu jepet një kornizë kohore e detajuar gjatë së cilës duhet të shpenzohen.

Çrrënjosja e poliomielitit, për shembull, ka qenë prej kohësh programi më i financuar i OBSH-së, kryesisht për shkak se shumica e kontributeve të Fondacionit Gates janë drejtuar për këtë kauzë.

Por fokusi në sëmundjet specifike historikisht e ka lënë OBSH-në praktikisht të lutet për financim për shkaqe të tjera, si promovimi i mbulimit universal shëndetësor në vendet e varfra ose përgatitja e botës për pandeminë e ardhshme.

Vetë OBSH-ja ka shprehur keqardhje prej kohësh mungesën e fondeve fleksibël dhe të besueshëm që e lejojnë atë të përgjigjet me shpejtësi ndaj urgjencave shëndetësore. Agjencia nuk iu përgjigj kërkesës së Euronews Next për koment.

A luan një rol shumë të madh Fondacioni Bill & Melinda Gates?

Lee tha se sasia e madhe e fondeve nga Fondacioni Gates komprometon pavarësinë e OBSH-së.

“Ai që paguan, ai vendos se çka duhet bërë”, tha ajo.

“Fondacioni Gates ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për avancimin e shëndetit global në kaq shumë fusha. Fondet e konsiderueshme të siguruara nga Fondacioni padyshim që kanë bërë shumë të mira në mbarë botën dhe janë të vlerësuara”, vlerësoi Lee.

“Por ka edhe pyetje të rëndësishme që duhen ngritur në lidhje me qeverisjen e mirë, duke përfshirë përgjegjshmërinë, përfaqësimin dhe legjitimitetin e të pasurit një fondacion të vetëm që të jetë kaq ndikues. Sistemi aktual është sinqerisht jodemokratik”.

Sipas Lee, shkalla e financimit të Fondacionit “i zbeh shumicën e qeverive dhe donatorëve të tjerë, duke i dhënë atij një zë shumë më të lartë në kaq shumë qarqe kyçe globale shëndetësore, përfshirë OBSH”.

Kur prioritetet globale të shëndetit nuk janë përcaktuar qartë, shtoi ajo, kjo mund të shihet si “udhëheqje shumë e nevojshme”.

“Donatorët ndërhyjnë për të mbushur atë boshllëk dhe ata sinqerisht besojnë se prioritetet e tyre janë ato të duhurat. Më pëlqen të besoj se ata janë gjithashtu me qëllime të mira”, shpjegoi ajo.

“Problemi është se, nëse kështu duhet të jetë tani për tani, atëherë duhet të ketë më shumë përpjekje për t’u angazhuar dhe konsultuar me ata që ndikohen nga vendimet e tyre.

“Ata duhet të jenë më transparentë në mënyrën se si vendosin se ku do të shpenzohen fondet e tyre. Ata duhet të jenë vetë-kritikë në lidhje me afatet e shkurtra, shtrembërimin e prioriteteve, efektet e paparashikuara të financimit të një çështjeje mbi një tjetër, dhe anulimin e përpjekjeve globale shëndetësore. Ata duhet të duan të jenë pjesë e zgjidhjes së fragmentimit të qeverisjes globale shëndetësore dhe jo pjesë e problemit”.

Fondacioni Bill & Melinda Gates nuk iu përgjigj një kërkese për koment, shkruan EuroNews.

“Nuk është e drejtë që një filantropi private të jetë një nga financuesit më të mëdhenj të përpjekjeve globale shumëkombëshe shëndetësore”, tha shefi ekzekutiv i Fondacionit Bill & Melinda Gates, Mark Suzman muajin e kaluar në letrën e tij vjetore.

“Por mos bëni gabim – aty ku ka një zgjidhje që mund të përmirësojë jetesën dhe të shpëtojë jetë, ne do të avokojmë me këmbëngulje për të. Ne nuk do të ndalojmë së përdoruri ndikimin tonë, së bashku me angazhimet tona monetare, për të gjetur zgjidhje”.

Suzman tha se qëllimi i fondit nuk ishte të vendoste axhendën për OBSH-në ose grupet e tjera shëndetësore globale, por t’ju siguronte atyre opsione dhe të dhëna më të mira për të ndihmuar në informimin e vendimeve të tyre.

Si do të mund të të financohej ndryshe OBSH?

Kjo iu takon vendeve që të rrisin përpjekjet e tyre për të financuar OBSH-në, tha Suzman. Vitin e kaluar, vendet anëtare të OBSH-së ranë dakord të rrisin kontributet e tyre.

Gostin sugjeroi gjithashtu se problemet e financimit të OBSH-së mund të zgjidheshin duke rritur tarifat e tyre të detyrueshme.

“Shtetet anëtare duhet të duan që OBSH të ketë sukses. Dhe OBSH mund të ketë sukses vetëm nëse ka financim të bollshëm dhe të qëndrueshëm”, tha ai.

Lee argumentoi se ndërsa është e rëndësishme që OBSH të marrë më shumë fonde, nga vijnë këto para është po aq e rëndësishme.

“Duhet të fillojmë me një diskutim të sinqertë për atë që na nevojitet nga një organizatë vërtet globale shëndetësore në shekullin e 21-të. OBSH u krijua për periudhën e pasluftës të mesit të shekullit të 20-të. Bota ka ndryshuar shumë që atëherë”, tha ajo.

Për Lee-n, është koha të pyesim se çfarë lloj organi shëndetësor global na nevojitet në një botë pas pandemisë: “Çfarë ligjesh, organesh vendimmarrëse, mekanizmash zbatues dhe fondesh na duhen për të na mbajtur të gjithë të sigurt dhe mirë? Çfarë fuqish i duhen kësaj organizate globale shëndetësore për të bërë punën e saj?”

Ajo argumentoi se OBSH duhet të thyejë varësinë e saj në kontributet vullnetare dhe në vend të kësaj duhet të financohet përmes taksave të ndryshme të krijuara për të financuar një botë më të shëndetshme dhe pa pandemi.

“Transporti, mikpritja, arsimi, sportet profesionale, tregjet financiare, sistemet tregtare, shërbimet e kështu me radhë që përfitojnë nga një botë pa pandemi mund të ndajnë të gjitha një sasi të vogël për të mbështetur OBSH-në”, tha ajo.

“Në fund të fundit, do të ishte në interesin e tyre dhe në të gjitha interesat tona, për të parandaluar llojin e përçarjeve në shkallë të gjerë që kemi parë gjatë tre vjetët e fundit. Do të ishin para të shpenzuara mirë”. /Telegrafi/

Read Previous

Sonte në ora 20:15 në Kino “Hyrije Hana” do të shfaqet premiera e filmit “Adnan Kafazi”

Read Next

Teknologjia gjysmë e automatizuar për pozicion jashtë loje u përdor në derbin Inter-Milan