Si e ndali Facebooku shpërndarjen e lajmeve në territoret palestineze

Rrjetet sociale kanë qenë baza e informacionit për ata që donin të dëgjonin më shumë nga zërat brenda Gazës. Faqe të ndryshme të medieve në Facebook, si ato të “Palestine TV”, agjencisë “Wafa” dhe “Palestinian Al-Watan News” – të cilat operojnë jashtë territorit të Bregut Perëndimor – u bënë burimi kyç i informatave për shumëkënd rreth botës. Por zëri i tyre u hesht nga politika e re e rrjetit më të madh social në botë, sipas një hulumtimi të kryer nga BBC-ja

Rrjeti më i madh social, Facebook, ka ulur në masë të madhe mundësinë që mediet palestineze të arrijnë tek audienca e tyre, gjatë raportimit për luftën Izrael–Gazë, sipas një hulumtimi të kryer nga BBC-ja.

Në një analizë të përgjithshme të të dhënave të Facebookut, BBC-ja ka gjetur se redaksitë e lajmeve në territoret palestineze – ato në Gazë dhe në Bregun Perëndimor – kanë pësuar rënie të theksuar në angazhimin e audiencës që nga tetori i vitit 2023 kur edhe nisi lufta.

BBC-ja po ashtu ka shikuar të dhënat që kanë rrjedhur nga rrjeti tjetër social Instagram – që po ashtu është pjesë e platformës “Meta” që udhëheq edhe Facebookun. Sipas të dhënave të hasura, del se Instagrami e ka rritur kontrollin mbi komentet e llogarive të palestinezëve pas tetorit 2023.

Gjiganti “Meta” – pronar i Facebookut – ka thënë se çfarëdo raportimi që thotë se ky rrjet social ka heshtur zërat qëllimshëm “është plotësisht i rremë”.

Që nga fillimi i luftës në Gazë, vetëm pak gazetarë të huaj janë lejuar të hyjnë në territoret palestineze aty. Madje ata që u lejuan ishin në gjendje që të hyjnë vetëm nën përcjellje të zyrtarëve ushtarakë të Izraelit.

Rrjetet sociale kanë qenë baza e informacionit për ata që donin të dëgjonin më shumë nga zërat brenda Gazës. Faqe të ndryshme të medieve në Facebook, si ato të “Palestine TV”, agjencisë “Wafa” dhe “Palestinian Al-Watan News” – të cilat operojnë jashtë territorit të Bregut Perëndimor – u bënë burimi kyç i informatave për shumëkënd rreth botës.

Shërbimi arabik i lajmeve të BBC-së ka përmbledhur të dhënat nga faqet e 20 organizatave të lajmeve me bazë palestineze në periudhë prej një viti deri më 7 tetor 2023 kur Hamasi sulmoi Izraelin, por edhe në periudhën nga ajo ditë e deri një vit më pas.

“Angazhimi” është përllogaritje kyçe se sa ka ndikim një llogari e rrjeteve sociale dhe se sa njerëz e shohin përmbajtjen që ajo publikon. Në të përfshihen faktorë të ndryshëm si numri i komenteve, reagimeve (pëlqimeve) dhe shpërndarjeve të postimeve.

Gjatë periudhës së luftës, angazhimi i audiencës parashihet që të ketë rritje. Gjithsesi, të dhënat kanë treguar se që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, këto medie palestineze kanë pësuar rënie të aktiviteteve të ndjekësve me 77 për qind.

“Palestine TV” ka 5.8 milionë ndjekës në Facebook. Gazetarët e redaksisë kanë shpërndarë statistikat e rrjeteve sociale, duke treguar se bëhet fjalë për rënie prej 60 për qindësh në numrin e njerëzve që ua shohin publikimet.

“Ndërveprimi është ndalur plotësisht dhe postimet tona nuk po arrijnë më te njerëzit”, ka thënë Tariq Ziad, gazetar në këtë medium.

Gjatë vitit të shkuar, gazetarët palestinezë kanë shprehur drojën se përmbajtja e tyre online po “heshtet” nga “Meta”. Në fjalë të tjera, rrjeti social po ua pengon shpërndarjen ashtu që të mos shihet nga shumë njerëz./koha.net/

Read Previous

Mbappe injoron bashkëlojtarët e Real Madridit kur tregon pesë lojtarët më të mirë me të cilët ka luajtur

Read Next

Fitore e thellë e Bayernit