Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara ka vendosur ta vazhdojë paraburgimin ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke refuzuar njëherësh kërkesën e tij të ripërtërirë për lirim të përkohshëm.
Në vendimin e marrë më 15 korrik, gjyqtarët vlerësuan se vazhdon të ekzistojë rreziku që Veseli të pengojë zhvillimin e procedurave gjyqësore dhe të kryejë vepra të tjera penale ndaj personave që perceptohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi në këtë proces.
Sipas trupit gjykues, këto rreziqe nuk mund të zbuten në mënyrë të mjaftueshme përmes asnjë mase tjetër, përveç mbajtjes së Veselit në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.
Gjyqtarët arsyetuan se vetëm mekanizmi i monitorimit të komunikimeve, i cili zbatohet në qendrën e paraburgimit, ofron garanci të mjaftueshme për të parandaluar komunikimet e paligjshme dhe çdo përpjekje të mundshme për ndërhyrje në proces.
Në vendim theksohet se sistemi i regjistrimit të komunikimeve dhe masat e sigurisë të zbatuara nga Zyra e Regjistrimit krijojnë një mjedis të kontrolluar, ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të identifikohet ose të parandalohet më lehtë.
Nga trupi gjykues është thënë se shqyrtoi edhe faktin se shpallja e aktgjykimit është shtyrë për më 16 shtator, por vlerësoi se kjo nuk e bën të paarsyeshëm vazhdimin e paraburgimit.
Gjyqtarët vlerësuan se duke pasur parasysh rrezikun e vazhdueshëm të pengimit të procedurave dhe kryerjes së veprave të tjera penale, vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë mbetet i nevojshëm dhe proporcional me rrethanat e rastit.
Megjithatë, trupi gjykues pranoi se Veseli ka kaluar tashmë një periudhë të konsiderueshme në paraburgim dhe se procesi gjyqësor ka zgjatur për një kohë të gjatë.
Ata theksuan se kanë vepruar sa më shpejt që ka qenë e mundur për të përfunduar shqyrtimin e çështjes dhe nxjerrjen e aktgjykimit, duke rikujtuar se në rastin Thaçi dhe të tjerët procedura përfundoi më 18 shkurt, ndërsa shpallja e aktgjykimit është caktuar për 16 shtator.
Që nga viti 2020, katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – mbahen në paraburgim në Hagë, në Holandë, nën akuzat për krime lufte.
Në nisje të procesit, në nëntor të atij viti, të gjithë deklaruan se janë të pafajshëm. Ky qëndrim u përsërit edhe më vonë, në shkurt të vitit 2026. Megjithatë, prokuroria ka kërkuar dënim deri në 45 vjet burgim ndaj tyre.
Gjatë këtyre viteve, sheshet e Kosovës dhe qytete të rajonit janë mbushur me flamuj kuqezi dhe thirrje për lirimin e tyre. Për shumë qytetarë, ky nuk është vetëm një proces gjyqësor, por edhe një betejë për interpretimin e historisë. /Albanianpost.com
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.