Inflacioni në Shqipëri ngjitet në 3,2%

Inflacioni i harmonizuar në Shqipëri arriti në 3,2 për qind gjatë muajit qershor, duke u pozicionuar mbi mesataren prej 2,9 për qind të Bashkimit Evropian. Të dhënat janë publikuar nga Instituti i Statistikave (Instat), i cili mat inflacionin sipas metodologjisë së harmonizuar të përdorur në vendet evropiane.

Sipas raportit, ndikimin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve e dha grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili kontribuoi me 1,02 pikë përqindje në inflacionin total, ndërsa çmimet në këtë kategori u rritën me 2,9 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Rritjen më të fortë vjetore të çmimeve e regjistroi grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 10,2 për qind, duke dhënë një kontribut prej 0,65 pikë përqindje në inflacion.

Pas tij renditen “Restorante dhe shërbime akomodimi”, me një rritje prej 3,9 për qind, si edhe “Pije alkoolike dhe duhan”, ku çmimet u rritën me 4,9 për qind.

Rritje u shënuan gjithashtu në grupet “Transporti”, “Shërbimi arsimor”, “Shëndeti” dhe “Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme”.

Në krahasim me muajin maj, çmimet e konsumit shënuan një ulje prej 0,1 për qind.

Sipas Instat-it, kjo u ndikua kryesisht nga rënia e çmimeve në grupin “Transporti” me 2,1 për qind, si edhe nga ulja e çmimeve për qiranë, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe karburantet e tjera me 0,8 për qind.

Rënie mujore u regjistrua edhe te mobiljet dhe pajisjet e shtëpisë, si dhe te ushqimet dhe veshjet e këpucët, të cilat u ulën me 0,5 për qind secila.

Në të kundërt, gjatë muajit qershor u rritën çmimet në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë” me 3,2 për qind krahasuar me muajin paraardhës. Rritje mujore shënuan edhe shërbimet arsimore me 0,7 për qind, si dhe shëndeti dhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit, me 0,5 për qind secili. /Albanianpost.com

Read Previous

Si e arsyetoi Specialja vazhdimin e paraburgimit ndaj Veselit?

Read Next

Në zgjedhjet e 2027-ës Shqipëria do të ketë më pak bashki