Për shkak se deputetja Drita Millaku gjendet në Slloveni për arsye shëndetësore, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku e njëjta bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetët e Vetëvendosjes Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba po akuzohen se në mars të 2018-ës kishin ndezur gaz lotsjellës, me ç‘rast kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Kosovës.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e LVV-së, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare e si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Lidhur me mungesën e të akuzuarës Millaku, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj tha se e akuzuara paraprakisht e ka njoftuar gjykatën se është në Slloveni për arsye shëndetësore dhe nuk mund të paraqitet në seancë.
Në këto rrethana, seanca e sotme u shty.
Të pranishëm në seancë ishin ministri Sveçla dhe deputetët Pacolli-Dalipi dhe Zyba, si dhe prokurori Eset Rama.
Deputeti Zyba kërkoi që të mbahet seanca në gjykatore, por gjykatësi Sadikaj tha se gjykimi është shqyrtim fillestar dhe se dështon në mungesë të të akuzuarës Millaku, andaj për këtë nuk ka rezervuar sallë. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.