Shtrenjtohen kreditë në Shqipëri, mbi 8000 lekë më shumë në muaj

Me qëllim frenimin e konsumit, Banka e Shqipërisë rriti të mërkurën, për të katërtën herë, normën bazë të interesit për lekun, duke e çuar atë në 2,25% nga 0,5% që ishte në fillim të vitit.

Po çfarë do të thotë kjo për ata që kanë për të paguar apo mendojnë të marrin një kredi? Enton Duro shpjegon: “Për ata që kanë një kredi, do të ketë ditë të vështira përpara. Këstet e radhës do të jenë më të shtrenjta”.

Zakonisht, treguesi më i përdorur si referencë për kreditë është norma e interesit të Bonove të Thesarit 1-vjeçare, së cilës i shtohet një normë fiks fitimi nga banka. Konkretisht, për një apartament të blerë në vitin 2019, i cili ka kushtuar 7 milionë e 500 mijë lekë, ku banka ka financuar në 70 për qind të shumës, pra 5 milionë 250 mijë lekë me afat shlyerje 15 vite, me normë fikse 3-vjeçare, pagesa e këstit të kredisë në muajin tetor të vitit të shkuar ka qenë 39 548 lekë.

Sot, vetëm një vit më pas, duke përllogaritur normën bazë të rritur me interesin e Bonove të Thesarit tashmë në nivelin 4,74 për qind, kësti mujor i kredisë bëhet 47 896 lekë në muaj.

Në raport me një vit më parë, kësti i kredisë rezulton i rritur me 8,348 lekë ose mbi 21%.

Norma totale e interesit të kredisë rishikohet me frekuencë të përcaktuar në kontratë, minimalisht një herë në vit, për të reflektuar ecurinë e interesave të Bonove të Thesarit./A2news/

Read Previous

Turqia dhe Hungaria vazhdojnë të bllokojnë hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO

Read Next

Pse kapsulat e ilaçeve kanë dy ngjyra?