Komisioni Evropian i ka dhënë dritën jeshile vendimit të qeverive të BE-së për të ndërprerë shqyrtimin e kërkesave për azil nga qytetarët sirianë, për sa kohë që atyre u jepet ende mundësia për t’i paraqitur ato.
Çështja e riatdhesimeve në vend mbetet pak më e diskutueshme, por Brukseli ka ndryshuar ndjeshëm tonin e tij në 24 orët e fundit gjithashtu në dritën e një kthese të mundshme që pritet për takimin e G7-ës që duhet të mbahet online të premten.
Sipas një drafti të parë të konkluzioneve të publikuar nga agjencia Bloomberg, G7 janë gati të njohin qeverinë e re siriane “me kusht që ajo të respektojë të gjitha pakicat”.
Ky hap – i kombinuar me heqjen e mundshme të grupit HTS nga lista e OKB-së e organizatave terroriste – mund të hapë rrugën për riatdhesimin e azilkërkuesve që ndodhen në Evropë.
Janë dhjetëra mijëra njerëz që presin të dinë fatin e tyre, nga të cilët 47 mijë vetëm në Gjermani.
Që prej ditës së djeshme, Berlini ka ndërprerë procedurat për shqyrtimin e aplikimeve, por ka siguruar se kërkesat e pranuara tashmë nuk do të revokohen.
Qeveria austriake në vend të kësaj ka thënë se është e gatshme të rishikojë vendimet e marra tashmë.
Vjena po punon gjithashtu për të përgatitur një plan “riatdhesimi të rregullt” ndërsa pret të fillojë dëbimet në vend, ndërsa Danimarka – e cila gjithashtu ka ndërprerë shqyrtimin e kërkesave për azil – ka ngrirë urdhrat e dëbimit për qytetarët që kanë parë të refuzohet kërkesa e tyre.
“Ne jemi duke u angazhuar me shtetet anëtare dhe organizatat ndërkombëtare për të përgatitur rrugën përpara”, shpjegoi dje Magnus Brunner, Komisioneri Evropian për Emigracionin, i cili është me kombësi austriake. “Ne duhet të mbështesim vendin që të shkojë në drejtimin e duhur dhe që refugjatët të kthehen”, shtoi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir Pedersen, pranoi se shumë sirianë duan të kthehen, por për momentin “situata është ende e vështirë” sepse kushtet humanitare janë “katastrofike” dhe ekonomia është “në kolaps”.
Turqia është veçanërisht aktive sa i takon riatdhesimeve, duke pasur kapacitete të rritura në pikat kufitare për të lejuar deri në njëzet mijë persona të kalojnë në ditë, krahasuar me tre mijë aktualë, në mënyrë që të inkurajojë “riatdhesimet vullnetare”.
Presidenti Rexhep Tajip ka nisur një seri bisedimesh me disa liderë evropianë, përfshirë Giorgia Meloni-n dhe Ursula von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian do të jetë në Turqi javën e ardhshme për të diskutuar të ardhmen e Sirisë dhe qytetarëve të saj në funksion të riatdhesimeve: “Integriteti territorial duhet të ruhet dhe pakicat duhet të mbrohen”.
Dhe duke folur për mbrojtjen, Komisioni Evropian dhe UNHCR-ja ndërhynë për të sqaruar disa aspekte në lidhje me ngrirjen e shqyrtimit të kërkesave për azil të miratuara nga shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së (me përjashtim të Spanjës), por edhe nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Norvegjia.
Vendimi u kritikua ashpër nga Amnesty International, e cila në vend të kësaj bëri thirrje për “përpunim të shpejtë dhe efektiv të kërkesave për azil” sepse “situata në Siri është jashtëzakonisht e paqëndrueshme”.
Një zëdhënës i ekzekutivit të udhëhequr nga Ursula von der Leyen theksoi se “vendimet për kërkesat për azil janë përgjegjësi e shteteve”, duke shtuar se “ato duhet të jenë në përputhje me standardet e BE-së”.
Aktualisht, vendet që kanë vendosur të ngrijnë procedurat “kanë të drejtë ta bëjnë këtë”: legjislacioni komunitar, kujtoi ai, parashikon një kohëzgjatje prej gjashtë muajsh për analizën e kërkesave për azil, e cila megjithatë në disa raste mund të zgjatet edhe për nëntë muaj dhe më pas për një periudhë tjetër “me kusht që të mos kalojë 21 muaj”.
Megjithatë, duhet respektuar një kusht: “Shqyrtimi i kërkesave për azil duhet të jetë gjithmonë mbi baza individuale”.
UNHCR-ja është edhe më e detajuar: “Është thelbësore që sirianëve të detyruar të largohen nga vendi t’u jepet akses në territor” shpjegoi zëdhënësja e Komisionit të Lartë të OKB-së, Shabia Mantoo.
Kushdo që kërkon mbrojtje ndërkombëtare duhet të jetë në gjendje të aksesojë procedurat e azilit dhe aplikimi i tyre duhet të shqyrtohet plotësisht dhe individualisht në bazë të meritave, në përputhje me garancitë e duhura procedurale.
Për këtë arsye, UNHCR-ja “merr parasysh” vendimin e marrë nga shumë qeveri për ngrirjen e procedurave të azilit, i cili “është i pranueshëm për sa kohë që njerëzit mund të aplikojnë për azil”.
E thënë thjesht: procesi i shqyrtimit të aplikimeve mund të pezullohet, por aplikantët nuk mund të pengohen që t’i dorëzojnë ato.
Dhe ndërsa presin përfundimin e procesit, refugjatët “duhet të vazhdojnë të gëzojnë të njëjtat të drejta si të gjithë azilkërkuesit e tjerë, edhe për sa i përket kushteve të pritjes”. /La Stampa/Albanian Post/