Shqipëria vijon të mbetet e fundit në Evropë për të ardhurat për kokë banori

Rritja ekonomike e ndikuar prej turizmit dhe sektorit të ndërtimit nuk mjafton në Shqipëri. Vendi, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat, vijon të mbetet i fundit në Evropë sa i takon të ardhurave për frymë, edhe pse ka shenja përmirësimi.

Megjithatë, të dhënat pasqyrojnë se edhe Bosnja dhe Hercegovina, një vend që radhitej pas Shqipërisë më parë, e ka tejkaluar nivelin e Shqipërisë – vetëm me 1%.

Sipas Eurostat, Shqipëria e ka Prodhimin e Brendshëm për Frymë sa 34% e mesatares evropiane. Nga ana tjetër, Bosnja e ka sa 35% e mesatares evropiane.

Maqedonia e Veriut shkon edhe më lart, duke pasur nivelin sa 42% e vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa Serbia shkon në 44%.

Kulmin në rajon e kap Mali i Zi, ku niveli arrin në 50% të mesatares evropiane.

Po ashtu, edhe treguesit e konsumit individual për frymë, që masin fuqinë blerëse të mallrave dhe shërbimeve, e shohin Shqipërinë të radhitet e fundit në rajon, me 41% të mesatares evropiane.

Në këtë spektër, Shqipëria ruan të njëjtin nivel me Bosnjë dhe Hercegovinën.

Nivelin më të lartë ndërkohë e mban sërish Mali i Zi, me 63% të mesataresh evropiane, ndiqet nga Serbia me 53% dhe më pas Maqedonia e Veriut me 50%.

Për Kosovën ndërkaq nuk ka të dhëna të publikuara.

Sipas shpjegimit të Eurostat, megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme.

Gjatë vitit 2022, ekonomia shqiptare u rrit me 4.85%, por rreth gjysma e kësaj rritjeje erdhi nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, që u zgjeruan përkatësisht me 10.7% dhe 11.2%. Duket se kjo rritje që po vjen nga ndërtimi nuk po arrin të përmirësojë mirëqenien e shqiptarëve, që vijojnë të mbeten më të varfrit e Evropës./Albanianpost.com

Read Previous

Barça uron Realin për triumfin në Champions

Read Next

Rekordin e Carlo Ancelottit vështirë se do ta arrijë ndokush