Nga 20 prilli 2023, shtetasit rusë, të cilët duan të hyjnë në Shqipëri, do të duhet të jenë të pajisur me viza.
Kështu është vendosur nga Këshilli shqiptar i Ministrave, i cili e ka rishikuar një vendim të mëparshëm për të hequr vizat me Rusinë.
Lajmin e ka pasqyruar po ashtu Ambasada shqiptare në Moskë, e cila ka theksuar se vendimi për lëvizje pa regjim vizash, është anuluar nga pala shqiptare.https://ads.digitalbee.al/www/delivery/afr.php?zoneid=26&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE
Ndaj, të gjithë rusët që duan të vizitojnë, duhet të pajisen fillimisht me një prej llojeve të vizave të qëndrimit në Shqipëri.
Ky vendim vjen pas një sërë ngjarjesh me rëndësi si në spektrin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë vendor, të ndodhura në vitin e fundit.
Fillimisht, ndikuese për rivendosjen e regjimit të vizave është lufta në Ukrainë, e shkaktuar nga Rusia, me fillim më 24 shkurt 2022, e cila ende vijon.
Shqipëria është rreshtuar qartësisht krah aleatëve perëndimorë në këtë betejë dhe e ka treguar qartësisht linjëzimin e politikave të jashtme me vendet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-të, sa i takon kësaj kauze.
Për më tepër, si anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB, nuk kanë qenë të pakta rastet, kur përfaqësuesit e delegacionit shqiptar, me në krye ambasadorin Ferit Hoxha, janë përplasur me palën ruse me gjuhë të ashpër diplomatike, duke dënuar krimet e kryera nga Moska në Ukrainë.
Mbi këtë bazë, po në një listë të lëshuar nga Moska, Shqipëria tregohet si vend armiqësor ndaj Rusisë, për shkak të rreshtimit kah Perëndimit.
Lajmin e ka përshëndetur edhe Ambasada ukrainase në Tiranë ndërkaq, sa i takon rikthimit të vizave me Rusinë.
Teksa, nga ana tjetër, një ngjarje e ndodhur në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh verën e shkuar, hodhi dyshime se agjentë të spiunazhit rus mund të jenë infiltruar në Shqipëri për të mbledhur të dhëna, ku aktualisht, dy prej tyre, janë ende në proces gjykimi.
Më e përfolura, është Svetlana Timofeeva, e cila përveçse po gjykohet në Shqipëri për spiunazh, akuzohet edhe në shtetin e saj mëmë, Rusi.
Kjo e fundit e ka kërkuar më parë ekstradimin e Timofeevës, por pa sukses, pasi me vendim të Gjykatës së Elbasanit, ajo do të qëndrojë në Shqipëri dhe do të gjykohet këtu për akuzat e ngritura.
Kështu, tensionet diplomatike mes Tiranës dhe Moskës nuk kanë qenë të pakta në vitet e fundit, duke çuar edhe në anulimin e lëvizjes me regjim të lirë vizash.
Për t’u theksuar mbetet edhe fakti se turistë të shumtë rusë kishin zgjedhur si vendmbërritje Shqipërinë në vitet e fundit dhe pikërisht mbi këtë bazë, u vendos në vitin 2021 lehtësimi i kalimit të qytetarëve rusë në vend, pa viza.
Por, faktorët gjeopolitikë, kanë bërë që ato të rikthehen.
/albanianpost/