Shqipëria rezulton me normat më të larta të ryshfetit në Ballkanin Perëndimor

Reformat kundër korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë arritur ndonjë përmirësim thelbësor.

Kështu konfirmohet në një raport të fundit të koalicionit SELDI, i cili vëzhgon korrupsionin dhe qeverisjen në Evropën Juglindore.

Shqipëria, referuar raportit, ka normat më të larta të ryshfetit, presionet më të larta të zyrtarëve për të marrë ryshfet dhe viktimizimin më të lartë të qytetarëve prej korrupsionit.

Ndërkohë, ravijëzohet se vijon një ngecje në reformat e antikorrupsionit.

Shqipëria mban vendin e parë në rajon për normat më të larta të ryshfetit (40 për qind).

Më pas vijnë Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi me normat më të ulëta të ryshfetit (10 për qind).

Sipas raportit të koalicionit SELDI, në Shqipëri janë presionet më të mëdha të zyrtarëve ndaj qytetarit për të dhënë ryshfet (52 për qind).

Më pas renditet Maqedonia e Veriut (31 për qind), Serbia (26 për qind), Bosnja e Hercegovina (24 për qind), Mali i Zi (11 për qind) dhe Kosova (7 për qind).

Shqipëria – në periudhën kohore 2023/2024 – është më e cenuara prej viktimizimit të korrupsionit; 80% e popullsisë së saj është e prirur për të pranuar ose ofruar ryshfet.

Kurse më pak të cenueshëm janë qytetarët e Malit të Zi, ku vetëm 48% janë të ndjeshëm ndaj korrupsionit, thuhet në raport.

Optimizmi i qytetarëve të Shqipërisë ndaj politikave antikorrupsion ka shënuar rënie në 20 për qind, ndërsa në pothuaj gjithë vendet e tjera është shënuar rritje e besimit se korrupsioni do të pakësohet.

Në vlerësimin e nivelit të korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor nga Sistemi SELDI i Monitorimit të Korrupsionit, u zbulua se politikat antikorrupsion në rajon nuk priren të prodhojnë një efekt të qëndrueshëm.

Kurse institucionet publike dhe partitë politike po bashkohen me rrjetet e kapjes së shtetit që rrëmbejnë vendimmarrjen e qeverisë.

Në raport thuhet po ashtu se qytetarët – paçka reformave të ndërmarra për integrim në BE – ende e cilësojnë korrupsionin si një prej problemeve kryesore të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen mos ndarja e pushteteve, mungesa e rezultateve të drejtësisë, ndërhyrjet politike dhe integriteti i dobët i sektorit publik.

Kohët e fundit, Kuvendi i Shqipërisë ka krijuar një Komision të Posaçëm për thellimin e reformave në mirëqeverisje, antikorrupsion dhe sundimin e ligjit, i cili shihet si një mundësi më shumë për ta luftuar korrupsionin.

Gjithashtu Plani i ri i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor po synon të forcojë dhe përshpejtojë përpjekjeve antikorrupsion, duke ofruar deri në 6 miliardë euro huadhënie dhe grante, në këmbim të zbatimit të reformave kyçe në këto vende./Albanianpost.com

Read Previous

Shkencëtarët britanikë po punojnë për një vaksinë kundër kancerit të vezoreve

Read Next

Shqiptarët të dytët pas gjeorgjianëve në operacionet e riatdhesimit nga BE