Shqipëria po shpopullohet tmerrësisht, e dhjeta në botë

Alarmet për shpopullimin e Shqipërisë, duket se askush nuk po i merrë seriozisht. Por, fatkeqësisht Edi Rama do të etiketohet si kryeministri që më shumë se çdo kush tjetër, çdo qeveri, ka ndikuar në këtë zhvillim.

Pavarësisht që Shqipëria e 2022-ë është një Shqipëri e lulëzuar krahasuar me Shqipërinë e 1992, fatkeqësisht, pavarësisht ndërtimeve të bukura, si të pronave private shtëpive, dhe atyre kolektive banesave, hotelierisë në bregdet dhe në thellësi të territorit, fillimit të zhvillimit të industrisë së lehtë, rimëkëmbjes ekonomike, rritjes së mirëqenies, përmirësimit të infrastrukturës etj, shqiptarët nuk kanë besim të jetojnë aty.

Pse?

Mendoj, se ngjashëm me Kosovën e deritashme, esenca e të gjithave pakënaqësive buron, nga mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit!

Vrasjet nga më makabret, përfshirë atë të fundit, … e kryer në mënyrën më profesionale kriminale, dhe moskapja e tyre, pavarësisht numrit të jashtëzakonshëm të faktorëve, është mbytje e shpresës.

Mbytja e shpresës çon në humbjen e përgjithshme të besimit. Dhe njerëzit nuk besojnë as në potencialin e biznesit, intelektual dhe çfarëdo tjetër, pasi pasiguria është shumëfish më e madhe se pasiguria.

Pasiguria nuk buron vetëm nga vrasjet, shpërthimet me tritol apo me vrasje me breshëri armësh nga kurtha profesionale e organizuar, sikur të ishte gjendje lufte. Ky është vetëm kulmi i asaj që shihet.

Po sa shqiptarë kanë arritur t’i realizojnë të drejtat e tyre civile? Sa kriminelë janë dënuar, dhe sa nuk janë kapur deri më sot, që nga rënia e komunizmit?

Gjykatat janë kthyer në institucione të vendimmarrjes arbitrare, ku “e drejta” është vetëm e më të fuqishmëve, në politikë, biznes, në krim… Për të tjerët ‘e drejta’ është ëndërr apo si thoshte Migjeni në tregimet sociale, për bukën, ajo është një ‘apotheozë’! Pra, drejtësia është e paarritshme.

Kush mund ta arrestojë një ministër në detyrë, po një kryeministër? Kjo është vetëm një ëndërr, dhe para se të ndodhë kjo më parë mund të rrjedhin lumenj gjaku!

Aq e ka shkatërruar Shqipërinë Edi Rama në qeverisjen e tij, sa e ka barbarizuar mënyrën e arritjes së të drejtës!

Shqipëria sot, tashmë është një vendet më të pashpresa. As Kosova nuk është larg. Edhe Kosova e ka përjetuar të njëjtën gjë thuaja, sepse shërbimet sekrete në të dyja anët kanë bashkëpunuar dhe kane pranuar eksperimentimin dhe dominimin e shërbimeve armiqësore.

Që në të dyja vendet, sot asgjë nuk urrehet më shumë se sa identiteti shqiptar dhe vetë shteti.

Që në të dyja vendet identiteti shqiptar është fragmentuar deri në katandisje, ku besimet fetare, i kanë asimiluar në identitete kulturore përkatëse ithtarët e tyre, ndërsa sprovat e reja të demokracisë e kanë bluar identitetin tek pjesa tjetër e popullsive, që nuk tërhiqet apo jepet pas feve.

Në këtë mes, ka ngelur një pakicë mjaft e shkapërderdhur, që fshihet pas partive, disa institucioneve dhe nga në një grup kulturor që komunikon ende nëpërmjet traditës, kulturës, dashurisë për atdheun, dhe që nuk janë si kultivim i identitetit të mundësuar nga institucionet, por si një shkollë e vetvetishme, që tërheqet nga magjepsja e ‘gjakut të pastër’, nga trashëgimia e lavdishme apo nga ëndrrat për ta zbuluar lavdinë e dikurshme apo për ta rikthyer atë.

Sipas deklaratës në një debat televiziv në Shqipëri, të pedagoges Ilrijana Kuçana, në “5 vitet e fundit kemi 251 mijë të larguar, pra brenda një viti kemi të braktisur një qytet”.

Kjo situatë është vetëm nga fenomeni i uljes së numrit të popullsisë nga ikja prej atdheut.

Shqipëria në vitin 1989/1990 kishte diku 3.29 milionë banorë, ndërsa aktualisht numri ka rënë, në vitin 2021 nën 2.8 milionë banorë. Bazuar në shtimin e lartë të popullsisë, që kishte, Shqipëria tashmë duhej të ishte ndërmjet, 4.5-5 milionë banorë.

Por, sot ajo rrezikon një shpopullim që mund të çoj në rrezikimin e identitetit shqiptar aty./Botasot/

Read Previous

Fermerët e bimëve medicinale/ Në Malësinë e Madhe zgjerohen sipërfaqet e mbjella, prodhimi shkon për eksport

Read Next

Suspendohet zyrtari policor nga Gjakova që gjuajti për qejf me armën zyrtare