Shqipëria përjetoi dëme të mëdha nga zjarret në vitin 2024

Foto: Ilustrim

2024 shënoi vitin më të keq në dekada sa i takon dëmeve nga zjarret në territorin e Shqipërisë.

Ndryshimet klimatike duket se e kanë bërë vendin edhe më të prekshëm nga ky fenomen.

Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), i cili ofron të dhëna për zjarret dhe zonat e djegura nga monitorimi satelitor, në Shqipëri janë regjistruar 168 zjarre në të cilat janë djegur 46 mijë e 536 hektarë.

Sa i takon rajonit dëmet më të mëdha nga zjarret në pyje në vitin 2024 janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut, ku sipas sistemit EFIS janë djegur 95 mijë e 181 hektarë nga 131 zjarre që janë regjistruar gjatë vitit në të gjithë territorin.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë janë djegur 43 mijë e 571  hektarë në 178 zjarre, në Serbi 38 mijë e 954 hektarë nga 226 zjarre, në Mal të Zi janë djegur 23 mijë e 54 hektarë dhe në Kosovë 12 mijë e 74 hektarë.

Shqipëria nuk i ka regjistruar këto shifra që nga viti 2012, kur u dogjën 53 mijë e 459 hektarë nga 149 zjarre në zona të ndryshme të vendit, ndërsa Kosova që nga viti 2007, kur u regjistruan 22 zjarre në të cilat 16 mijë e 246 hektarë pyje dhe kullota u prekën.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë aktivizuar disa herë gjatë vitit të shkuar Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile me një ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreve, në pamundësi për të kontrolluar situatën për shkak të kapacitetit të vogël të mjeteve zjarrfikëse dhe burimeve njerëzore.

Në disa zona të jugut të Shqipërisë, në qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës, zjarret kërcënuan fshatra që vitet e fundit ishin pothuajse të zbrazura.

Evakuimi i banorëve sipas ekspertëve të emergjencës vështirëson situatën pasi mungojnë burimet njerëzore për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Vendi ka kapacitete të kufizuara teknike dhe njerëzore për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret dhe dëmtimet e qëllimshme.

Shqipëria ka rreth 1 mijë e 300 punëtorë dhe ekspertë pyjesh, rreth 140 automjete zjarrfikëse, shumica të vjetra dhe të papërshtatshme për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore, dhe asnjë helikopter të specializuar për shuarjen e vatrave të zjarrit nga ajri.

Në këto kushte, qeveria shqiptare, në muajt e pikut pati aktivizuar në të gjithë vendin forcat dhe mjetet e ushtrisë në operacionin për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore.

Vlen të theksohet se Raporti i Bankës Botërore për klimën dhe zhvillimin për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, i publikuar tetorin e kaluar, thekson nevojën që vendet e Ballkanit të investojnë në reduktimin e rreziqeve që sjell ndryshimi i klimës globale gjithnjë e më shumë.

Sipas Raportit për Shqipërinë, vendi duhet të investojë 6 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme për të mbrojtur qytetarët dhe pronat në mënyrë sa më efektive nga rreziku i shtuar i përballjes me përmbytjet, zjarret pyjore, tërmetet dhe rrëshqitjet e dheut, ndërkohë që Kosova do të duhet të investojë rreth 2,8 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.

Raporti i Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin për Shqipërinë vlerëson se “rreth 95 për qind e bashkive shqiptare janë prekur nga këto fatkeqësi natyrore dhe klimatike gjatë dy dekadave të fundit, të cilat janë bërë më të shpeshta dhe më të rënda”. /Albanianpost.com

Read Previous

Laporta ka besim se La Liga do të pranojë regjistrimet e Olmos dhe Pau Victor

Read Next

Reuters: Ndalimi i TikTok në Shqipëri ndez debate mbi lirinë e fjalës