Shqipëria dhe Moldavia janë dy vendet më të goditura në Evropë nga niveli i lartë i emigracionit në raport me popullsinë.
Të paktën kështu ka vënë në dukje Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) në raportin global për vitin 2024.
Për shkak të mungesës së perspektivës së punësimit me paga dinjitoze, shumë njerëz janë larguar nga disa nënrajone të Bashkimit Evropian për të punuar në Evropën Perëndimore dhe Veriore.
“Vende të tilla si Shqipëria dhe Republika e Moldavisë janë disa nga më të goditurat; rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë, për shembull, vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit, duke kontribuar në ikjen e trurit, duke ushtruar presion mbi industritë dhe ekonomitë vendase që vazhdimisht humbasin punëtorë si në sektorët me kualifikim të ulët, ashtu edhe në atë të lartë”, sipas IOM.
Organizata sakaq, rendit si arsye normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsionin dhe klientelizmin e konsiderueshëm që kanë ndikuar në vendimet e njerëzve për t’u larguar nga vendi.
Referuar IOM, mijëra të rinj shqiptarë kanë bërë udhëtime të vështira për të arritur në Evropën Veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku shumë prej tyre rrezikojnë jetën duke kaluar Kanalin Anglez me gomone.
Prirje e ngjashme shihet edhe në Republikën e Moldavisë, me rreth një e katërta e popullsisë së saj “ekonomikisht aktive” që punon jashtë vendit.
Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Federata Ruse që ka rezultuar në një krizë të kostos së jetesës në të gjithë botën, duke përfshirë edhe vendet e nënrajonit, ka detyruar edhe më shumë moldavë të largohen nga vendi.
Kurse vende të tjera si Bullgaria dhe Serbia nuk bëjnë përjashtim dhe vazhdojnë të shohin shumë nga të rinjtë e tyre që largohen.
Teksa shumë që largohen janë punëtorë emigrantë të rregullt që përfundojnë duke punuar në Federatën Ruse ose në vende të Perëndimit dhe në Evropën Veriore, ka pasur gjithashtu një rritje të numrit të emigrantëve të parregullt nga disa vende të nën-Rajonit.
Emigrimi – në dekadat e ardhshme – do të jetë nxitësi i vetëm i rritjes së popullsisë në vendet me të ardhura të larta, sipas IOM, teksa do të jetë shkaktar kryesor i rënies së popullsisë në vendet e varfra dhe ato në zhvillim.
Emigracioni në Shqipëri – sipas Monitor – vijon me ritme të larta në dekadën e tretë të tranzicionit.
Ritmet e ikjes u forcuan edhe më tej në dekadën e fundit, duke vënë në vështirësi ekonominë dhe perspektivën afatgjatë të vendit.
Më herët, një artikull i Zërit të Amerikës ka theksuar se në Shqipëri fenomeni i emigrimit, kryesisht i të rinjve, vazhdon të jetë shqetësues jo vetëm për shkak të largimit të fuqisë punëtore aktive, por edhe nivelit të demokracisë në vend.
Në bazë të shkrimit nga VOA, sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2011 e në vazhdim, nga Shqipëria janë larguar mesatarisht çdo vit rreth 42 mijë persona, 70 për qind e të cilëve të rinj. Zëri i Amerikës bisedoi me një grup të rinjsh, të cilët shprehen se, për shkak të mundësive të lëvizjes dhe komunikimit, po ndryshon edhe perceptimi i një pjesë të të rinjve përsa i përket emigrimit.
Si shumë të rinj shqiptarë edhe Robert Bisha emigroi drejt brigjeve të Italisë kur ishte në moshën 15-vjeçare me dëshirën për të studiuar për pianoforte. Por ai thotë se, pas përfundimit të studimeve, u përball me mëdyshjen; të qëndronte në vendin e emigrimit apo të kthehej në Shqipëri.
“Në njëfarë mënyre, emigracioni tek unë ishte patjetër shkëputje, një shenjë e fortë ku unë vendos pikëpyetjen: a do të kthehem përfundimisht apo kjo mbetet një çështje e hapur? Distancat tashmë janë të shkurta. Unë ika, por edhe u ktheva. Dhe jam vazhdimisht në lëvizje”, tregon ai.
Vitet e fundit, thotë Roberti, është zvogëluar ndjeshëm distanca mes Shqipërisë dhe Italisë, gjë që nuk ndodhte në vitet e para të emigracionit. Kjo i krijoi atij mundësinë që të jetojë e punojë në mes dy vendeve.
“Në Itali luaj pjesë të mijat, bëj koncerte, kam një studio të vogël ku kompozoj, shkruaj. Kur jam në Shqipëri, në Shkodër kam një festival prej katër vitesh që unë e organizoj. Nuk luaj vetë, por luajnë muzikantë që unë thërras dhe që janë ndoshta niveli më i lartë pjanistik që kemi”, thotë ai.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të riun Gerti Palali, i cili emigroi në Torino të Italisë. Ai thotë se një pjesë e të rinjve të shkolluar gjithnjë e më shumë po e ndajnë jetën e tyre mes vendit ku kanë emigruar dhe vendlindjes.
“Jeta në emigracion është pak më ndryshe. Duhet të studiosh, duhet edhe të punosh në një profesion tjetër për të mbuluar shpenzimet e emigracionit, qira e të gjitha këto. Ndërsa këtu kthehem shumë shpesh sepse e brendshmja nuk më len. Vij për të punuar në profesionin tim. Më mungojnë duartrokitjet, emocionet e një sheshi xhirimi dhe të gjitha këto. Kthehem shumë shpesh gjatë vitit me projekte”, tregon ai.
Sipas Institutit të Statistikave, për shkak të emigracionit, nga viti 2011 e në vazhdim, nga Shqipëria largohen rreth 42 mijë persona në vit, ku 70 për qind e tyre janë të rinj.
Ky largim i të rinjve është me pasoja jo vetëm në rënien e fuqisë punëtore, por edhe nivelin e demokracisë në vend. Shumica e të rinjve largohen kryesisht për mundësi më të mira pune, arsimimi dhe kujdesi shëndetësor, por Gerti thotë se, edhe në emigracion të rinjtë përballen me vështirësi dhe probleme.
“Të rinjtë e shikojnë më të lehtë çështjen ekonomike në një shtet tjetër, çështjen e sigurisë dhe shumë çështje të tjera. Por, është gjë shumë e lezetshme se, kur jemi këtu në Shqipëri themi “lum ju që jeni jashtë se keni lekë, bëni jetë më të qetë”, por kur jemi jashtë themi “ah lum ju që jeni në Shqipëri, sepse si Shqipëria nuk është askush”. Kështu që, besoj se kjo ka me na shoqëruar gjithmonë”, tregon ai.
Në vitin 2020, Sara Prençi shkoi në Turqi ku po studion rreth televizionit, kinemasë dhe aktrimit. Në krahasim me Turqinë, thotë ajo, Shqipëria është ende mbrapa përsa i përket televizionit dhe kinematografisë dhe kjo e bën pesimiste për mundësinë e rikthimit në Shqipëri.
“E shikoj veten si një aktore dhe kjo është lufta ime më e madhe me veten. Dhe e shikoj veten në Stamboll duke luajtur filma ose duke qëndruar pas kamerave duke xhiruar”, tregon ajo.
Megjithëse sipas sondazheve, një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë pëlqejnë të emigrojnë apo të shkollohen jashtë vendit, ka edhe shumë të tjerë që duan të vazhdojnë karrierën në vendin e tyre.
Erisela Smaka ka mbaruar studimet për fizioterapi dhe tani po kryen praktikën profesionale mes gjyshërve në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër.
“Kam vendosur për të qëndruar në Shqipëri për t’i shërbyer nënës dhe babit, familjes time dhe pse jo gjyshërve këtu në shtëpinë e të moshuarve. Këtu kemi moshën e tretë, kanë humbje të levizshmërisë, sensibilitetit, humbje të forcës dhe për këtë ka nevojë për ndërhyrjen e fizioterapistit”, thotë ajo.
Drejtuesi i Qendrës Rinore “Arka”, në Shkodër, Marjan Lukani, thotë se emigracioni ka ndryshuar gjatë tre dekadave të fundit, që nga hapja e Shqipërisë drejt Evropës.
Ndërsa në fillimet e tij të rinjtë emigronin me synimin për tu rikthyer dhe ndërtuar një banesë apo biznes pranë familjes, me kalimin e viteve ata e ndërtuan jetën e tyre në vendet ku emigruan. Ndërsa tani, me lehtësitë e lëvizjes dhe komunikimin, një pjesë prej tyre, po e shikojnë veten mes vendit të emigrimit dhe Shqipërisë.
“Një pjesë prej tyre e kanë ende dëshirën që të kthehen tek vendi i tyre për të dhënë kontributin e tyre për vendin. Dhe, kam përshtypjen se është një detyrë e madhe e qeverisë, e jona si shoqëri, që të bëjmë të pamundurën që këto të rinj të kenë mundësi për tu rikthyer në Shqipëri”, tregon Marjan Lukani. /Albanianpost.com