Shqipëria hap negociatat me BE-në për grup kapitullin e parë: Nga drejtësia të kontrolli financiar

Shqipëria do të hapë kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Evropian në Konferencën Ndërqeveritare që do të mbahet më 15 tetor.

Konfirmimi erdhi gjatë vizitës së kryeministrit, Edi Rama në Hungari, vend i cili mban presidencën e radhës së Këshillit të BE-së.

“Ne nuk flasim vetëm për përshpejtimin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, ne e realizojmë!”, shkroi kryeministri hungarez, Viktor Orbán, në llogarinë e tij X, duke njoftuar datën e hapjes së grupit të parë të kapitujve (Cluster 1) me Shqipërinë.

Vetë Rama falënderoi Hungarinë dhe komisionerin në largim, Olivér Várhelyi, për mbështetjen e tyre.

Ai vuri në dukje rolin e Presidencës hungareze, e cila sipas tij ka nxitur dhe bashkërenduar që “pas disa ditësh të kemi mundësinë që të hapim një pjesë të madhe të negociatave me BE, një grup të tërë kapitujsh”.

“Kam kënaqësinë të shpreh mirënjohjen e thellë nga zemra për atë që ka bërë Presidenca e Hungarisë për ne duke nxitur, bashkërenduar dhe bërë të mundur që pas disa ditësh të kemi mundësinë që të hapim një pjesë të madhe të negociatave me BE-në, një grup të tërë kapitujsh dhe në këtë mënyrë, ne do të hyjmë në një fazë integrimi e cila është vërtetë e përparuar, e avancuar”, shtoi ai.

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi më herët pozicionin negociues të vendit për çeljen e negociatave për anëtarësim në Union lidhur me hapjen e grupit të parë të kapitujve (Cluster 1) i njohur si themelorët.

Sipas metodologjisë së zgjerimit të BE-së, e rishikuar për herë të fundit në vitin 2020, Cluster 1 hapet i pari dhe mbyllet i fundit.

Progresi në këto fusha do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Kapitujt e  Cluster 1

Grupi i parë i kapitujve janë “Themelorët”, të cilat përfshijnë themelet e shtetit ligjor dhe demokracisë.

Ky grup përbëhet nga pesë kapituj, të cilët do të hapen njëkohësisht, duke qenë kapitujt e parë të hapur në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar.

Kapitulli 23 mbi Gjyqësorin dhe të Drejtat e Njeriut synon të arrijë një sistem gjyqësor të paanshëm dhe efikas që garanton sundimin e ligjit dhe zbatimin efektiv të tij.

Ai synon gjithashtu të garantojë një proces të rregullt bazuar në parimet kushtetuese dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky kapitull përbëhet nga funksionimi i gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore.

Pas tij vjen Kapitulli 24 për Drejtësinë, Lirinë, Sigurinë, i cili synon ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të unionit si një zonë lirie, sigurie dhe drejtësie.

Ai kërkon nga Shqipëria një kapacitet administrativ të fortë dhe të mirëintegruar brenda agjencive ligjzbatuese dhe organeve të tjera përkatëse, të cilat duhet të arrijnë standardet e nevojshme.

Pjesa më e detajuar dhe më e rëndësishme është acquis i Shengenit, i cili përfshin heqjen e kontrolleve të kufirit të brendshëm dhe lëvizjen e lirë brenda BE-së.

Lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër terrorizmit,  migrimi i ligjshëm dhe i parregullt, azili dhe bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale dhe civile janë disa nga çështjet e tij.

Kapitulli tjetër ai numër 5 – Prokurimi Publik – bazohet në respektimin e parimeve të përgjithshme të transparencës, trajtimit të barabartë dhe konkurrencës së lirë në lidhje me dhënien e kontratave publike në sektorë të veçantë.

Sakaq, kapitulli 18 mbi Statistikat kërkon respektimin e disa parimeve bazë të institucionit statistikor si paanshmëria, besueshmëria, transparenca, mbrojtja e të dhënave personale, si dhe publikimi periodik i statistikave zyrtare bazuar në rëndësinë e tyre për shtetin dhe individin.

Kapitulli i fundit është ai i Kontrollin Financiar, i cili fokusohet në kontrollin e brendshëm financiar publik bazuar në parimin e decentralizimit.

Aspekti unik i këtij kapitulli është se ai kërkon një organ auditimi të jashtëm të pavarur, i cili raporton periodikisht në parlamentin kombëtar në lidhje me përdorimin e fondeve publike.

Shqipëria do të bëjë kështu hapin tjetër në negociatat e anëtarësimit me BE-në, pas hapjes zyrtare të negociatave në korrik 2022.

Ajo do t’i bashkohet Malit të Zi dhe Serbisë si vendi i tretë i Ballkanit Perëndimor që hap kapitujt e negociatave.

Muajin e kaluar, Shqipëria u shkëput nga Maqedonia e Veriut, e cila mbetet e bllokuar në rrugën e saj të anëtarësimit për shkak të vetos së Bullgarisë. Vendimi u kritikua nga analistë. /Albanianpost.com

Read Previous

Incidenti me simbolet shqiptare, Daku: I tregova gjyqtarit se këto flamuj janë provokues ndaj lojtarëve por nuk u hoqën

Read Next

Rritja e pensioneve për 20 për qind, Kurti: Fillon nga ky muaj