Shqipëria drejt rekordit turistik, gati 900 mijë të huaj në një muaj

Shqipëria vijon të regjistrojë rritje të fortë të fluksit hyrës të vizitorëve, teksa vetëm gjatë muajit prill afro 900 mijë shtetas të huaj kanë hyrë në territorin shqiptar, duke e afruar vendin drejt një tjetër sezoni potencialisht rekord për turizmin.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit prill hynë në Shqipëri gjithsej 1 milion e 617 mijë e 841 shtetas shqiptarë dhe të huaj, një rritje prej 8.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga këta, 891 mijë e 414 ishin shtetas të huaj – gjithashtu me një rritje prej 8.8 për qind në raport me prillin 2025.

Në të njëjtën kohë, nga territori shqiptar dolën 1 milion e 602 mijë e 18 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 7.9 për qind më shumë se një vit më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë arritën në 742 mijë e 88, ndërsa ato të shtetasve të huaj në 859 mijë e 930.

Shifrat e Instat-it tregojnë se Evropa vijon të mbetet burimi kryesor i vizitorëve të huaj në Shqipëri.

Vetëm gjatë prillit, nga 891 mijë hyrje të shtetasve të huaj, mbi 841 mijë erdhën nga kontinenti evropian. Brenda Evropës, pesha kryesore vijon të mbahet nga Evropa Jugore, e cila kontribuon me 74 për qind të hyrjeve, ndërsa Evropa Perëndimore përbën 11 për qind.

Një tjetër tregues domethënës lidhet me arsyen e udhëtimit. Sipas Instat, në 98 për qind të rasteve, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri janë realizuar për qëllime personale – si pushime, vizita te të afërmit apo udhëtime individuale – ndërsa hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë shënuar rënie me 4.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe bilanci i katër muajve të parë të vitit sugjeron një trend të qëndrueshëm në rritje. Nga janari deri në prill 2026, Shqipëria ka regjistruar mbi 5.2 milion hyrje gjithsej, me rreth 2.57 milion shtetas të huaj që kanë hyrë në vend, ose 5.1 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Albanianpost.com

Read Previous

“Më të fortat në Evropë”, prokurori italian ngre alarmin për grupet kriminale shqiptare

Read Next

De la Fuente: Kemi 3 portierë të klasit botëror, ende nuk e kam vendosur se cili do të jetë titullar