Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara e Republikës së Shqipërisë (AAPSK) dhe Agjencia Kombëtare e Ukrainës për Gjetjen, Gjurmimin dhe Menaxhimin e Pasurive që Rrjedhin nga Korrupsioni dhe Krime të Tjera (ARMA) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Marrëveshja u nënshkrua në Varshavë, ku të dy vendet morën pjesë në Forumin IV Ligjor BE-Partneriteti Lindor, nga Risena Xhaja, Kryeadministratore e AAPSK-së, dhe Olena Duma, Drejtoreshë e ARMA-s, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një platforme të përbashkët për rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera me ndikim ekonomik.
Në deklaratën e saj, Xhaja theksoi se “kjo marrëveshje shënon jo vetëm një bashkëpunim teknik, por edhe një angazhim të përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përdorimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në dobi të publikut”.
Nga ana e saj, Duma vlerësoi forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit institucional.
“Partneritetet si ky janë thelbësore për të siguruar një qasje të koordinuar dhe efektive ndaj pasurive të paligjshme në nivel ndërkombëtar.”
Marrëveshja hyn në fuqi menjëherë dhe do të shërbejë si bazë për shkëmbim informacioni dhe zhvillimin e një sërë aktivitetesh të përbashkëta për periudhën në vazhdim.
Fushat që parashikohet bashkëpunimi janë: shkëmbimi i praktikave më të mira për menaxhimin dhe ripërdorimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, organizimi i seminareve, webinareve dhe forumeve të përbashkëta; krijimi i grupeve të përbashkëta pune dhe projekteve kërkimore dhe zhvillimi i marrëdhënieve me organizata ndërkombëtare./Albanianpost.com