Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë e cila do të luhet sot me fillim nga ora 20:45 (e shtunë) në ‘Air Albania’ do të shoqërohet me masa të rrepta të sigurisë.
Rreth 2000 efektivë të Policisë së Shtetit do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një ndeshje futbolli në vend.
Është bërë e ditur se për të garantuar sigurinë do të marrin pjesë edhe njësia speciale RENEA, FNSH, strukturat Anti-terror si dhe Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH).
Siguria më e lartë do të fokusohet mbi përfaqësuesen serbe, që nga momenti i mbërritjes në Rinas e deri në largim pas përfundimit të ndeshjes.
Ekipi serb do të shoqërohet gjatë gjithë kohës me forca të shumta sigurie dhe masa të rrepta mbrojtjeje.
Antiterrori do të ketë rol kyç në këtë operacion, me detyra të posaçme për kontrollin e perimetrit të stadiumit, monitorimin e pikave të hyrjes në territorin shqiptar dhe evidentimin e çdo rreziku të mundshëm.
Në të gjitha pikat kufitare janë shpërndarë prej një jave lista me persona me prirje ekstremiste, të cilët nuk do të lejohen të hyjnë në Shqipëri.
Ndërkohë, në stadiumin ‘Air Albania’ janë instaluar edhe sisteme sigurie të avancuara, ndërsa të gjitha rrugët që çojnë në stadium do të jenë të bllokuara, dhe qarkullimi në zonën përreth do të kufizohet rreptësisht.
Policia ka hartuar një plan të detajuar kontrolli, që përfshin verifikimin e biletave dhe dokumenteve të identifikimit për çdo tifoz që hyn në stadium./Telegrafi/