Rritja e inflacionit reflektohet në një rritje të kostos së rikthimit të fëmijëve në shkolla. Tashmë, familjeve me fëmijë duke u rritur dhe me kuleta duke u zvogëluar, do t’i duhet një kosto minimale prej 9500 lekë për rikthimin…
Nëse keni një fëmijë që kthehet në shkollë, një gjë është e sigurt: kur bëhet fjalë për koston, blerja e furnizimeve që u nevojiten nxënësve mund të shtohet shpejt.
Dhe për shkak të inflacionit, disa prindër po rregullojnë sjelljet e tyre të blerjeve për t’u siguruar që fëmijët të kenë atë që u nevojitet.
Marrja e furnizimeve për kthimin në shkollë është diçka që disa prindër tani duhet ta planifikojnë me kujdes.
Për prindërit që tashmë rishikojnë buxhetet për të paguar për ushqimin, karburantet, furnizimi me mjete shkollore do të jetë pak më i vështirë këtë vit.
Sipas vëzhgimeve në terren, çmimet kanë shënuar rritje rreth 25% krahasuar me vitin e shkuar. Familjet me fëmijë në shkollën fillore deri në shkollën e mesme thonë se planifikojnë të shpenzojnë gati 30 mijë lekë për blerje këtë vit, duke përfshirë veshje, këpucë, duke përjashtuar pajisjet elektronike.
Një nga ankesat e përvitshme të tyre janë çmimet e larta të artikujve shkollorë, të cilat prindërit janë të detyruar t’i blejnë dhe t’i riblejnë gjatë vitit si produkte konsumi.
Bizneset e fushës shprehen se aktiviteti i tyre është tkurrur, duke e argumentuar me uljen e numrit të fëmijëve dhe rritjen e bizneseve që tregtojnë mjete shkollore. Në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, mjetet shkollore gjenden në çdo kancelari, librari, markete, si dhe dyqane për fëmijë.
Në anën tjetër, në qendrat tregtare krijohet një kënd i veçantë për rikthimin në shkollë dhe që në ditët e para të shtatorit nisin fushatat “Back to School”.
Torta e shpenzimeve për këtë ditë, e cila nis që për fëmijët e ciklit parashkollor dhe në kopsht, ndahet jo vetëm në dyqanet e vogla të formës kancelari, por edhe në një “luftë titanësh” mes qendrave tregtare. Dyqanet e vogla shprehen se shitjet kanë rënë ndjeshëm, ndërsa qendrat tregtare raportojnë që ky vit ka qenë i mirë në lidhje me tregtimin e artikujve shkollorë.
Burime pranë “ZED Kancelari”, biznes mbi 10 vite në tregun shqiptar, thonë për “Monitor” se ka pasur interes të lartë për çantat e shkollës. Këtë vit, pohojnë nga departamenti i shitjes, janë zgjedhur çanta me çmime të larta, mbi 5000 lekë, edhe për fëmijët e kopshteve.
Operatorët pranë kancelarisë “Infiniti Office” në Tiranën e Re, thonë se shitjet kanë rënë ndjeshëm këtë vit.
“Vëmë re reduktim të numrit të fëmijëve në shkolla, të cilët u drejtohen kancelarive tona. Ne kemi disa pika në Tiranë dhe këtë vit, ndihet rënie e ndjeshme e shitjeve. Jemi fokusuar dy vitet e fundit në përmirësimin e gamës së produkteve që ofrojnë, duke sjellë mjete më cilësore”, – pohojnë ata.
Nga kancelaria “Euro Office” në sheshin “Ëilson” pohojnë se kanë vënë re, jo vetëm një numër më të ulët të fëmijëve në klasat fillore, por edhe rënie të numrit të fëmijëve. Sipas tyre, prindërit shqiptarë kanë më pak fëmijë se më parë dhe kjo i penalizon automatikisht me rënien e numrit të klientëve të ardhshëm.
Përfaqësues nga “Jumbo Albania” pohojnë se këtë vit gama e produkteve për shkollë ka qenë më e larmishme dhe janë ofruar në çmime më të lira, në mënyrë që kushdo të ketë mundësi të blejë.
Nga Nova dhe Euro1, bëhet e ditur se produktet kancelarike nisin nga 160 lekë dhe vijojnë në çmime më të shtrenjta. Sipas tyre, prindërit kanë blerë më pak këtë vit, por produkte më cilësore.
Për to, kjo diferencë është vënë re te numri i artikujve të blerë për fëmijë: më parë bliheshin fletoret me pako, ndërsa këtë vit janë treguar më të kursyer, duke blerë pak dhe më cilësore.
Shpenzimet bazë të shkollës 9-vjeçare dhe shkollës së mesme (sistemi publik):
- 3 600—6 000 lekë për librat e shkollës për ciklin 9-vjeçar, pasi nga klasa e parë deri në të pestën, librat janë falas. Megjithatë, janë të përdorur ndaj një pjesë e mirë e prindërve i blenë
- Deri në 7000 lekë për shkollat e mesme
- 3 000 – 9 000 lekë për çantën e shkollës;
- 5 000 lekë për mjetet shkollore që kërkohen në fillim të vitit shkollor;
- Rreth 3 000 lekë për uniformën për shkollat 9-vjeçare e gjimnazet që e zbatojnë;
- 2 000 – 3 500 lekë për uniformën e detyrueshme të fizkulturës, sipas ciklit të studimeve
- 1 000 lekë kontribut për shkollën në fillim të shkollës (pagesë kryesisht për rojën)
- Deri në 2000 lekë për produkte kancelarie në muaj;
- Pagesa të tjera për vërtetime të ndryshme apo aktivitete
Kostot
Kostot e furnizimit të shkollës janë në përputhje me çmimet në rritje të ushqimeve, karburantit dhe faturave të shërbimeve.
Prindërit po shpenzojnë dyfish për furnizimet shkollore këtë vit