Një aksion masiv i Policisë së Korçës, i mbështetur nga forcat elitë RENEA, është realizuar në Pogradec, ku janë kontrolluar 29 banesa të ndryshme.
Aty janë gjetur sende të jashtëligjshme dhe elementë të përfshirë në aktivitete kriminale.
Për momentin, janë shoqëruar në Polic 14 persona, të cilët po pyeten nga autoritetet.
Sipas burimeve, pritet që në orët në vijim shumica e tyre të arrestohen.
Një nga personat më të kërkuar, Erjon Llapushi, nuk është gjetur në shtëpinë e tij dhe ende mbetet i shpallur në kërkim.
Aksioni ka rezultuar me gjetjen e një arsenali të madh armësh, përfshirë shotgun dhe pistoleta, si dhe armë të sofistikuara si thikat në forma stilolapsi.
Po ashtu, janë sekuestruar 90 milionë lekë të vjetra në një shtëpi, 50 milionë lekë të vjetra në një tjetër, dhe 26 mijë dollarë.
Sasi të konsiderueshme karburanti, të dyshuara si kontrabandë, janë gjetur gjithashtu në shtëpitë e kontrolluara.
Një tjetër gjetje e rëndësishme ishte sekuestrimi i aparateve celularë që përdoren për lojëra fati, si dhe lëndë narkotike, kryesisht kokainë, që është gjetur në 3 banesa.
Një nga momentet kyçe të operacionit ka qenë rrethimi i banesës së Erjon Llapushit, i cili është në kërkim nga policia për akuzën e vrasjes së një kamerieri në vitin 2021 në Elbasan.
Forcat speciale RENEA kanë rrethuar lokacionin dhe kanë intensifikuar kërkimet për kapjen e tij.
Përfundimi i operacionit pritet të shoqërohet me një njoftim për mediat, ku do të jepen detaje të mëtejshme mbi arritjet e operacionit dhe ndalimet e mundshme.
Erjon Llapushi, një histori krimesh të rënda
Erjon Llapushi, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, përfaqëson një rast të përsëritur të kriminalitetit të rëndë dhe lirimit nga përgjegjësia ligjore.
Veprat e tij kriminale përfshijnë vrasje, trafikim njerëzish, shantazh, plagosje dhe armëmbajtje pa leje, duke krijuar një profil të rrezikshëm që ka sfiduar sistemin gjyqësor për më shumë se një dekadë.
Më 2 tetor 2021, Llapushi vrau brutalisht kamerierin, Gazment Kurmaku, në Elbasan, pas një konflikti për një tavolinë në lokal.
Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar 20 vite burg.
Në maj 2021, ai u arrestua për trafikimin e 24 emigrantëve të paligjshëm, por u lirua shpejt.
Në vitin 2019, përmes shantazhit dhe kërcënimeve, Llapushi mori në mënyrë të paligjshme 17 % të aksioneve të një kompanie transporti, duke i shitur ato më pas një pale tjetër.
Llapushi ka një histori të gjatë kriminale që daton prej vitit 2007, kur tentoi të vriste një person me armë zjarri.
Në vitin 2008, ai plagosi rëndë një person tjetër në Pogradec dhe u shpall fajtor për armëmbajtje pa leje.
Pavarësisht dënimeve të shumta, ai është liruar në mënyrë të përsëritur, duke vijuar aktivitetet kriminale pa pengesa. /Albanianpost.com