Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë ka arrestuar një punonjës të Policisë, identifikuar si E. Sh., 38-vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.
Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 kilogrami, e dyshuar kokainë, si dhe ka pasur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike. /Albanianpost.com