Fadil Muqolli nga Pokleku i Drenasit tash e 22 vjet që po pret drejtësi lidhur me vrasjen e katër fëmijëve të tij.
Muqollit në luftën e vitit 1999 iu vranë edhe prindërit dhe bashkëshortja e tij.
Ai ka thënë se pritja e tij që drejtësia për këto vrasje do të vihet në vend ka qenë e kotë deri më tani.
“E di që është ngritur një padi në Beograd në vitin 2015. Askush prej institucioneve, as të EULEX-it, as të UNMIK-ut, as këto tonat asgjë s’kanë bërë”, tha Muqolli.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë 13. 518 persona, kurse 1,630 janë ende të zhdukur.
Me gjykimet për krime lufte janë marrë gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it, Tribunali i Hagës dhe gjykatat e Kosovës.
Për 22 vjet që nga përfundimi i luftës, rreth 70 persona janë dënuar me aktgjykime të plotfuqishme për krime lufte.
Në anën tjetër, të mërkurën në Qeverinë e Kosovës u miratua një ndryshim-plotësim i Kodit të Procedurës Penale që pritet të rregullojë çështjen e gjykimit në mungesë të të akuzuarve.
Pjesëtarët e qeverisë e kanë quajtur këtë ndryshim një hap tutje që krimet, e posaçërisht ato të luftës, të mos lihen të pandëshkuara. Megjithatë, ekspertë të fushës dhe aktivistë nuk po e shohin si të zbatueshëm këtë nismë legjislative.
Ky projektligj, pas miratimit në qeveri duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në mbledhjen e qeverisë, tha se përmes këtij propozimi, kryerësit e veprave penale, me theks të veçantë ata të krimeve të luftës, do të marrin dënimet e merituara.
“Kudo që hasen nga organet ligjzbatuese, do të vuajnë dënimin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjithashtu theksoi se “Projekt-Kodi i Procedurës Penale do të mundësojë që askush të mos i shmanget drejtësisë dhe rastet penale të kenë epilog”, tha ai.
/Telegrafi/