Organizatat e shoqërisë civile kanë zhvilluar të mërkurën aksion simbolik përpara hyrjes së Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste ndaj moskonstituimit të legjislaturës së re.
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se kjo situatë i ka kaluar kufijtë e normales.
Sipas tij, të vetmëve që nuk u është bërë mjaftë, janë deputetet e Kuvendit.
Ka shtuar se Kuvendi është shndërruar në cirk të demokracisë.
“Deputetët mblidhen për disa minuta punë edhe pse pagat po i marrin. Presim që deputet t’i thërrasin arsyes. As Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidh këtë ngërç. Deputetët duhet të kenë vullnet politik që ta tejkalojnë këtë bllokadë”, ka thënë ai.
Mexhide Demolli nga kjo organizatë ka thënë se ky aksion do të vazhdojë sa herë që do të ketë seancë të Kuvendi.
Të pajisur me pankarta me mesazhe të drejtpërdrejta si “Kur t’ju bëhet boll, kallxoni”, “Deputetë, emri juaj është bllokadë” e “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan t’i japin fund krizës institucionale dhe theksuan përgjegjësinë e deputetëve për të përmbushur mandatin e tyre.
Protesta u zhvillua në prag të vazhdimit të seancës së 37-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës./Koha.net