Shoqata e Prokurorëve kërkon nga zyrtarët publikë maturi në deklarime

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës tha se me shqetësim ka përcjellë reagimet publike të bëra së fundmi nga përfaqësues të subjektit politik GUXO dhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, pas veprimeve procedurale të ndërmarra nga Prokuroria Speciale në rastin që përfshin intervistimin e një zyrtari të lartë në cilësinë e të dyshuarit.

“Në mënyrë të veçantë, Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, Admir Shala, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se prokurorët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet.

“Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve. Shoqata rithekson se kriteri i vetëm për vlerësimin e një prokurori është performanca profesionale, respektimi i ligjit dhe standardeve etike, dhe jo lidhje të supozuara apo të interpretuara politikisht”, thuhet në reagim.

Shoqata u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial, dhe “të përmbahen nga deklaratat që përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj punës së prokurorëve”.

Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, zhvilloi të martën bastisje në Ministrinë e Bujqësisë.

Prokurori i rastit, Admir Shala tha më 27 maj se Prokuroria Speciale ka nisur një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci u intervistua si i dyshuar.

Më pas pati reagime nga zyrtarë të lartë të Qeverisë.

Donika Gërvalla, ministre e Jashtme në detyrë dhe bashkëkryetare e GUXO tha intervistimi i Pecit ishte “inskenim i gërditshëm” nga ana e kryeprokurorit Blerim Isufaj.

Përveç Gërvallës, edhe vetë GUXO lëshoi një deklaratë duke ngritur dyshime për “paanshmërinë e hetimeve”.

Në mbështetje të Faton Pecit doli edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /KosovaPress

Read Previous

Igli Tare flet për herë të parë si drejtori i ri sportiv i Milanit

Read Next

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës e mbyll muajin me një koncert me vepra nga Tchaikovsky