Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Ardhmëria” në fshatin Ramoc e ka filluar vitin e ri shkollor 2021-2022 me infrastrukturë më të mirë. Këtë e kuptuam gjatë vizitës që i bëmë këtij institucioni ku drejtori Lekë Hajdari na tregoi se së fundmi është bërë lyerja e mureve në hapësirat e brendshme, e poashtu janë rregulluar edhe nyjet sanitare. Këtu vijojnë mësimin 103 nxënës dhe ky proces është i organizuar me dy ndërrime. Kurse prioriteti vazhdon të mbetet ngritja e cilësisë së arsimit.
Sikurse çdo shkollë tjetër edhe këtu vështirësitë janë të ndryshme. Njëra ndër to është mungesa e kabineteve në lëndët përkatëse. Kjo po bënë që orët mësimore në lëndët si gjeografi, fizikë, kimi dhe biologji të zhvillohen vetëm në klasë. I vetmi kabinet është ai i teknologjisë.
Ndërsa për mësimdhënësit sfidë ka qenë zhvillimi mësimit online apo në distancë.
Ata që i janë gëzuar fillimit të mësimit në mënyrë fizike janë edhe nxënësit të cilët thonë se po e kanë më të lehtë mësimnxënien.
Këtu është edhe klasa e ciklit parashkollor e cila është e pajisur me të gjitha mjetet mësimore dhe infrastrukturë adekuate. Dikur kjo shkollë nuk kishte fushë të edukatës fizike, mirëpo tani ndërtimi i saj është në përfundim e sipër dhe ky investim është nga drejtoria komunale e arsimit. Kurse rregulimi i oborrit dhe rrethojave të shkollës është bërë nga buxheti vetanak i shkollës. Por krahas kësaj nuk kanë munguar edhe donacionet nga komuniteti këtushëm. Theksojmë se në këtë vatër arsimore vijojnë mësimin fëmijët nga fshatrat Ramoc, Rrypaj, Madanaj dhe Meje.