Shesheli: Ushtria serbe të bëhet gati për të ndërhyrë në Kosovë

Kryetari i Partisë Radikale Serbe, krimineli Vojisllav Sheshel ka thënë se krijimi
i poligonit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Mitrovicë të Jugut do t’i
vënte në rrezik serbët në Kosovë.


Sheshel deklaroi në programin e mëngjesit të televizionit serb, TV Pink se
ushtria serbe duhet të jetë e gatshme për të ndërhyrë në Kosovë.


“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ushtria jonë duhet të jetë e gatshme
nëse ai rrezik bëhet real, në mënyrë që të ndërhyjmë menjëherë. Është një
pozicion shumë i rëndësishëm strategjikisht dhe prej andej i gjithë veriu i
Kosovës dhe Metohisë mund të kontrollohet me armë të mira artilerie.

Është gjithashtu e rrezikshme pasi shqiptarët nuk kanë të drejtë në baza ushtarake.
Ata nuk kanë të drejtë sipas Rezolutës 1244”, tha Sheshel.

Kryetari i SRS-së theksoi se shqiptarët po ndërtojnë bazë ushtarake pa
miratimin e Këshillit të Sigurimit.


“Ato gjëra nuk po shkojnë mirë dhe ne do të duhet ta zgjidhim atë me disa
masa më të rrepta një ditë. Do të ishte më mirë të arrihej një kompromis në
mënyrë që Kosova dhe Metohija të mbeten pjesë e Serbisë, dhe shqiptarët të
marrin një shkallë të lartë të autonomisë, dhe edhe ajo autonomi është e
garantuar nga Këshilli i Sigurimit, por shkëputja e Kosovës dhe Metohisë nuk
mund të jetë një opsion realist ose një temë diskutimi. Nuk ka asgjë për të
folur, nuk duhet të lejohet”, tha Sheshel.


Krijimi i një poligoni të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Mitrovicë të
Jugut, ka ngjallur shumë reagime në Serbi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq,
ka kritikuar paralajmërimet për formimin e siç është shprehur ai “bazës së
FSK-së” në Cërnushë të Mitrovicës së Jugut.

“Nëse del ndonjë rrezik apo kërcënim më serioz për popullin serb…Nuk kam
nevojë të vazhdoj. E dinë serbët e ‘Kosovës e Metohisë’”, tha Vuçiq.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri,
komuna e të cilit më 26 mars i ndau rreth 200 hektarë për ndërtimin e
poligonit në kodrën e Cërnushës. Ai tha se ky poligon nuk cenon sigurinë e
askujt.

“Baza ushtarake e FSK-së që do të ndërtohet në kodrën e Cërnushës nuk është
provokim për askënd e as nuk do ta cenoj sigurinë e banorëve serbë të Kosovës,të cilët i mbron dhe do t’i mbrojë shteti i Kosovës me mekanizmat e tij sikurse gjithë banorët e Republikës tonë”, tha Bahtiri.

Kush është Vojisllav Sheshel?

Sheshel ka qenë i dënuar për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare
për krimet në ish-Jugosllavi gjatë kohës sa ai ishte zëvendëskryeministër i
Serbisë.


Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës në
shkurt të vitit 2003, por gjyqi i tij lloi deri në nëntor të vitit 2007.

Më 31 mars 2016, ai u shpall i pafajshëm në një vendim të shkallës së parë. Më
11 prill 2018, Dhoma e Apelit e prishi pjesërisht vendimin e shkallës së parë,
duke e shpallur Sheshelin fajtor për krime kundër njerëzimit për shkak të rolit
të tij në nxitjen e dëbimit të kroatëve nga Hrtkovci. Ai u dënua me 10 vjet burg,
por për shkak të kohës së kaluar në paraburgimin e Gjykatës Penale
Ndërkombëtare të Hagës, ai nuk ishte detyruar të kthehej në burg.

Read Previous

Serbia pezullon vaksinimet për të huajt

Read Next

Shqipëria lehtëson masat antiCovid