ShBA-ja ka thënë se pajtohet me aleatët perëndimorë që furnizimi i Rusisë me dronë shpërthyes nga Irani, shkel sanksionet e OKB-së.
Kievi u godit nga të ashtuquajturit dronë “kamikazë” të hënën, të lëshuar nga Rusia, por që besohet se janë të prodhuara nga Irani.
ShBA pajtohet me vlerësimin francez dhe britanik se dronët shkelin Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha Departamenti Amerikan i Shtetit.
Kjo rezolutë, e lidhur me marrëveshjen bërthamore të Iranit, ndalon transferimet iraniane të disa teknologjive ushtarake.
Ukraina i ka identifikuar dronët – ose mjetet ajrore pa pilotë (UAV) – si armë iraniane Shahed-136. Ata quhen dronë kamikazë sipas pilotëve luftarakë japonezë që kryenin misione vetëvrasëse në Luftën e Dytë Botërore.
“Ne besojmë se këto UAV-të që u transferuan nga Irani në Rusi dhe u përdorën nga Rusia në Ukrainë janë ndër armët që do të mbeten embargo nën 2231”, tha Vedant Patel i Departamentit të Shtetit.
Irani ka mohuar të ketë furnizuar Rusinë me këta dronë, por Patel tha se ShBA “ekspozoi publikisht se Rusia ka marrë dronë nga Irani, se kjo ishte pjesë e planit të Rusisë për të importuar qindra UAV iranianë të llojeve të ndryshme”.
Ai shtoi se kishte “prova të gjera” të përdorimit të tyre nga Rusia në Ukrainë
/KlanKosova/