SHBA-ja ka rrëzuar qeveri iraniane në të kaluarën. Si ndodhi?

(iStock; Chiqui Esteban/e Washington Post)

Qëkur Izraeli nisi sulmet në Iran, thirrjet për ndërrim të regjimit janë shpeshtuar. Presidenti amerikan, Donald Trump, e kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kanë përmendur mundësinë që cak të jetë lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Për Iranin, nuk është hera e parë që përballet me nxitje amerikane për ndryshim të regjimit në shtet.

Kur ka ndodhur dhe si:

Më 1953, SHBA-ja ndihmoi në një puç për të hedhur poshtë kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike në Iran, Mohammad Mossadegh.

Ai pati bërë thirrje për shtetëzim të rafinerive të naftës – lëvizje që SHBA-ja dhe Britania e Madhe e patën përjetuar si goditje të rëndë, për shkak të varësisë mbi naftën në Lindjen e Mesme.  

Kulmi i luftës së ftohtë: Lëvizja për shtetëzim ishte parë si popullore në Iran dhe fitore për Bashkimin Sovjetik të atëhershëm.

Forcimi i sundimit të Shahut: Qëllimi i puçit ishte të përkrahej monarku i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, në sundim si Shah i Iranit, dhe të zgjidhej kryeministri i ri – gjenerali Fazlollah Zahedi.

Puçi: Para puçit, CIA, krahas shërbimit sekret inteligjent britanik ndihmuan në nxitjen anti-Mossadegh nëpërmjet propagandës. Më 1953, CIA dhe SIS-i ndihmuan forcat pro-Shah dhe organizuan protesta të mëdha kundër Mossadeghut.

Paraja amerikane: Për të mbështetur Zahedin, kryeministrin e ri të Iranit, me stabilitet, CIA i vuri në dispozicion rreth 5 milionë dollarë tinëz për dy ditë pas marrjes së pushtetit, sipas dokumenteve.

Inteligjenca amerikane: Më 2013, dokumentet e deklasifikuara të CIA-s u publikuan, duke konfirmuar për herë të parë përfshirjen e agjencisë. Por për rolin amerikan veçse dihej: Ish-presidenti amerikan Barack Obama, pranoi më 2009 përfshirjen në puç.

Efekt të kundërt: Pas rrëzimit të Mossadeghut, SHBA-ja rriti mbështetjen për Pahlavin si sundimtar. Iranianët e kundërshtuan ndërhyrjen e huaj, duke nxitur sentimentin anti-amerikan në shtet për dekada.

Revolucioni Islamik: Shahu u bë aleat i afërt i SHBA-së. Por në fund të të ’70-ave, miliona iranianë dolën rrugëve kundër regjimit të tij, të cilin e shihnin si të korruptuar dhe jolegjitim. Protestuesit sekularë ishin kundër autoritarizmit të tij, ndërsa protestuesit islamistë kundërshtonin agjendën e modernizimit.

Shahu u rrëzua më 1970 nga revolucioni, që i dha fund monarkisë së mbështetur nga Perëndimi dhe nxiti nisjen e Republikës Islamike dhe sundimit klerik. /Koha.net/

Read Previous

Rohde: BE-ja ishte gati për heqjen e masave, por veprimet e pakoordinuara në veri shtynë shtetet të presin

Read Next

Gjermania: Një në katër emigrantë do të largohet